Historiku i Fakultetit

 
Fakulteti i Mjekësisë u themelua më 17 qershor të vitit 1969, ndërsa punën e filloi në dhjetor të po atij viti dhe ligjërata e parë u mbajt në lokalet e Fakultetit Filozofik të Prishtinës.
Fillimisht, ky fakultet kishte vetëm Seksionin e Mjekësisë së Përgjithshme, ndërsa në vitin 1975 u hap edhe Seksioni i Stomatologjisë. Më 15 maj 1996, me vendim të Senatit të Universitetit të Prishtinës u themelua Seksioni i Farmacisë, ndërsa në vitin 2001, në kuadër të këtij fakulteti, u hap edhe Drejtimi i Fizioterapisë.
Në shkurt të vitit 1973 Fakulteti i Mjekësisë e zgjeroi veprimtarinë edhe në mbrojtjen  shëndetësore, pasi që u bashkua me Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës dhe si i tillë u regjistrua në Gjykatën Ekonomike të Qarkut në Prishtinë. Fillimisht, në fakultet u regjistruan 90 studentë shqiptarë, ndërsa mësimi u mbajt nga mësimdhënësit e Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Fakulteti i Mjekësisë për herë të parë organizoi studimet pasdiplomike në vitin shkollor 1984/85.
Në vitin 2001, Senati i Universitetit të Prishtinës miratoi planet mësimore të mbështetura në Deklaratën e Bolonjës për nivelin bachelor.
Në vitin 2003, sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, u aprovua hapja e Departamentit të Infermierisë dhe Mamive në kuadër të Fakultetit të Mjekësisë, departament në të cilin studimet zhvillohen sipas sistemit trevjeçar.
Në këtë vit shkollor, Fakulteti i Mjekësisë pati 1.860 studentë në studimet bazike.
Më 19 shtator 2007, nga Senati i Universitetit të Prishtinës janë aprovuar planet mësimore të reformuara për pesë degët e Fakultetit, të bazuara në planprograme të shteteve të Bashkimit Evropian dhe të vlerësuara me sistemin e kredive të transferimit evropian.
Në vitin akademik 2007/2008 filluan studimet për master në Degët: Fizioterapi dhe Infermieri e Mami, si dhe studimet për doktoratë në Degët: Mjekësi, Stomatologji dhe Farmaci.
Nga viti 2009 Fakulteti i Mjekësisë organizoi studimet e doktoratës në Katedrën e Paraklinikës, Katedrën e Kirurgjisë, Katedrën e Internistikës, Katedrën e Lëndëve Preventive dhe Katedrën e Stomatologjisë.