Në Kongresin e Urologëve të Evropës Juglindore, të organizuar nga Shoqata Evropiane e Urologjisë, urologët nga Kosova fituan dy çmimet e para në një garë të 500 pjesëmarrësve nga gjithë Evropa.

Ky çmim iu nda Kosovarëve nga juria profesionale Evropiane, duke u bazuar në thellësinë shkencore të prezantimeve.

I. Njëri çmim u fitua për projektin më të mirë shkencor të urologëve të rinj si garë ndërshtetërore “Country competition”, të cilën e fitoi Dr. Liridon Selmani, PhD kandidat i Fakultetit të Mjekësisë, Drejtimi i Mjekësisë eksperimentale.

Ky projekt është duke u realizuar në bashkëpunim me Universitetin Mjekësor të Vienës dhe Universitetin Dartmouth të SHBA-së.

Në Vienë kandidati ka përvetësuar një teknikë të re të hulumtimit (western blott), të cilën do ta implementoj në Kosovë, krahas me teknikën e imunohistokimisë, e cila punohet në Institutin e Patologjisë në Prishtinë, kurse si vlerësues i jashtëm i rezultateve të kësaj pune eksperimentale do të jetë prof. Alan Schend nga Fakulteti i Mjekësisë të Universitetit Dartmouth në SHBA, pasiqë ky hulumtim ka ngritur interesimin e profesorit dhe ekspertit të kësaj fushe në SHBA. Realizimi i këtij projekti do të kryhet në Institutin e Patologjisë të Fakultetit të Mjekësisë, të Universitetit të Prishtinës.

II.Çmimi i parë në kategorinë e posterit më të mirë në fushën e shkencave bazike u fitua nga Ass. Dr. Fahredin Veselaj, Dr.sci.

Ky prezantim është pjesë e doktoraturës së Dr. Fahredin Veselaj, i cili para dy muajsh mbrojti me sukses doktoraturën në Fakultetin e Mjekesise. Rezultatet e këtij hulumtimi janë prezantuar në shumë kongrese Evropiane dhe Botërore si Australi, Kanada, Angli etj, por tani në këtë garë ndërshtetërore gjatë kongresit të mbajtur në Turqi (6-8 nëntor, 2015), fitoi çmimin e parë.

Me rastin e komunikimit të rezultateve të garës nga Presidenti i Shoqatës Evropiane të Urologjisë, u emitua himni i Kosovës, për ndarjen e çmimit të parë në  të dy kategoritë.

Udhëheqës i këtyre dy hulumtimeve është Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, njëherit Kryetare e Këshillit të Doktoratave në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.