Lajmi për vdekjen e Prof. Assoc. Dr. Sylejman Rexhepit është një lajm i hidhur për të gjithë stafin e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Katedrës së Mjekesise Interne në veçanti.

Prof. Assoc. Dr. Sylejman Rexhepi ishte profesor i Mjekesise Interne.

Prof. Sylejman Rexhepi lindi më 1953 në Ferizaj. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në vitin 1979 në Universitetin e Prishtinës. Më 1981 filloi specializimin nga Mjekësia Interne në Prishtnë. Më pas qëndroi për një muaj në Institutin e Sëmundjeve Kardiovaskulare në Universitetin e Bolonjës, ndërkaq specializimin  e përfundoi në vitin 1985 në Universitetin e Nishit. Më 1983 u punësua në Klinikën Interne-Njësia e Reumatologjisë në Prishtinë.
Më 1985 u angazhua si asistent, më 1987 u zgjodh asistent dhe më 1999 docent i lëndës Mjekësia interne, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Më 1986 regjistroi studimet pasdiplomike në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb dhe më 1991 mbrojti temën e magjistraturës. Më 1997, Dr. Sylejman Rexhepi e mbrojti temën e doktoratës me titull: “Veçoritë e artritit reumatoid në pleqëri”.
Në vitin 2000 u zgjodh zëvendës shef, ndërsa më 2001 shef i Katedrës së Mjekësisë interne.Gjatë periudhës 2002-2003 udhëhoqi studimet pasdiplomike për Reumatologji me rehabilitim fizikal. Prof.Assoc.Dr.Sylejman Rexhepi ishte Shef i Degës së Infermierisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Ai ishte anëtar i komisionit recensues në dy libra universitar.
Gjatë periudhës 1987-1989 ishte bartës i projektit shkencor mbi ethet reumatike në Kosovë dhe morri pjesë në organizimin e gjashtë simpoziumeve për këtë problematikë.
Më 1999 u angazhua në botimin e revistës shkencore për çështje shoqërore, ekonomike dhe tekniko-teknologjike të Kosovës “Dardani sacra”, ku u zgjodh anëtar i Këshillit redaktues dhe njëkohësisht Sekretar i revistës.

Prof.Assoc.Dr.Sylejman Rexhepi ishte një ndër themeluesit e Reumatologjisë bashkëkohore të Kosovës. Ka marrë pjesë në shumë kongrese, konferenca e simpoziume dhe ka publikuar një sërë punimesh shkencore si autor dhe koautor brenda dhe jashtë vendit.

Te gjithe ne, kolegët dhe studentët e tij, e kujtojmë si një shembull i shkëlqyer, i një profesori me intergritet të lart akademik, internist, reumatolog dhe mbi të gjithash me kulturë dhe i afërt.

Ne, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Mjekësisë ju shprehim ngushëllime të sinqerta, familjes së
Prof. Assoc. Dr. Sylejman Rexhepit.

Nuk keni humbur vetëm ju bashkëshortin, babain dhe familjaren tuaj, por edhe i gjithë Fakulteti i Mjekësisë, një profesor të çmuar.

I nderuar Prof. Sylejman, u prehsh në paqë!

I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Assoc. Dr. Sylejman Rexhepin!
 
Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu
Dekane