Lajmi për vdekjen e Prof. Dr. Asene Luci-Agai është një lajm i hidhur për të gjithë stafin e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Katedrës së Histologjisë në veçanti.
Prof.Dr. Asene Luci-Agai ishte profesoreshë e Histologjisë dhe Embriologjisë. Ajo themeloi Institutin e Histologjisë dhe Embriologjisë të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë.
Profesoresha Asene u lind më 1940 në Pejë. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Pejë. Fakultetin e Mjekësisë e kreu në Shkup në vitin 1970. Pas diplomimit u punësua si mjeke në Prishtinë dhe ishte ndër mjekët e rralla shqiptare jo vetëm në Prishtinë, por edhe në Kosovë. Dr. Asene Luci-Agai më 1972 u zgjodh asistente e lëndës Histologji me Embriologji në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.Tezën e disertacionit të doktoratës me titull: “Konstatimi citologjik i sputumit te personat që jetojnë në meset me shkallë të ndryshme të ndotjes së ajrit” e mbrojti në Universitetin e Prishtinës në vitin 1980. Prof.Dr. Asene Luci-Agai ka dhënë një kontribut të lart në ngritjen profesionale dhe shkencore të stafit të këtij Instituti.
Profesoresha Asene, ishte doktoresha e parë e shkencave dhe profesoresha e parë e Histologjisë dhe Embriologjisë në Kosovë. Ajo ka marrë pjesë në shumë kongrese e simpoziume dhe ka botuar një numër të konsiderueshëm të punimeve si autore dhe koautore.
Te gjithe ne, kolegët dhe studentët e saj, e kujtojmë si një shembull i shkëlqyer, i një profesoreshe me intergritet të lart akademik, histologe dhe embriologe dhe mbi të gjithash i një zonje të rëndë, me kulturë dhe e afërt.
Ne, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Mjekësisë ju shprehim ngushëllime të sinqerta, familjes së
Prof. Dr. Asene Luci-Agai.
Nuk keni humbur vetëm ju bashkëshorten, nënën dhe familjaren tuaj, por edhe i gjithë Fakulteti i Mjekësisë, një profesoreshë të çmuar.

E nderuar Profesoreshë Asene, u prehsh në paqë!

I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Asene Luci-Agai!

 
Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu
Dekane