Lajmi për vdekjen e Prof. Dr. Muharrem Jakupaj është një lajm i hidhur për të gjithë stafin e Fakultetit të Mjekësisë dhe Katedrës së lëndëve Paramjekësore të Fakultetit të Mjekësisë në veçanti.
Prof. Muharrem Jakupi ishte profesor i Biologjisë në kuadër të lëndëve Paramjekësore të Fakultetit të Mjekësisë.
U lind më 1950 në Skivjan, të Gjakovës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, kurse gjimnazin në Gjakovë. 
Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Prishtinës ku edhe u diplomua në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore-Dega e Biologjisë, në vitin 1975. 
Pas diplomimit e deri në vitin 1980, punoi pedagog në gjimnazin e Prishtinës.Prej vitit 1980 punoi në Institutin e Fiziologjisë Patologjike të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, ku drejtoi sektorin për mjekësi eksperimentale.
Studimet pasdiplomike në lëmin e Mjekësisë eksperimentale i kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, ndërsa më 04.04.1991 mbrojti temën e magjistraturës me titull “Efekti i etanolit në tonusin e muskulaturës së lëmuar të arteries mushkërore dhe trakesë”.
Prof. Muharremi vazhdoi hulumtimet e tij shkencore në Laboratorin për kontrollin e frymëmarrjes në Case Western Reserve University, Cleveland, Ohio, SHBA nën udhëheqjen e Akademik Prof. Dr. Musa Haxhiut gjatë periudhës 1995-1996.
Më 09.02.1996 mbrojti punimin e doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë me titull: “Mekanizmat e veprimit të etanolit në muskulin e lëmuar të arteries mushkërore dhe të rrugëve të ajrit”, nën drejtimin e Akademik Musa Haxhiut.
Më 01.07.1997 u zgjodh në thirrje të Docentit për lëndën Biologji me gjenetikë humane.
Gjatë periudhës 01.03.2000 deri 01.09.2000 vazhdoi studimet post-doktorale në CWRU në Cleveland, SHBA.
Prof. Muharrem Jakupi ka publikuar një sërë punimesh profesionale dhe shkencore në vend dhe jashtë vendit. Një pjesë e madhe e tyre janë publikuar në revista me recension ndërkombëtar.
Te gjithe ne, kolegët dhe studentët e tij, e kujtojme si një shembull i shkëlqyer, i një profesori me intergritet të lart akademik, i një biologu, shkencëtari i shquar në nivel ndërkombëtar dhe mbi të gjithash i një njeriu shumë të mirë, me kulturë dhe i afërt.
Ne, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Mjekësisë ju shprehim ngushëllime të sinqerta, familjes së Prof. Muharrem Jakupaj.
Nuk keni humbur vetëm ju bashkëshortin, babain dhe familjarin tuaj, por edhe i gjithë Fakulteti i Mjekësisë, një profesor të çmuar.
 
I nderuar Prof. Muharrem, u prehsh në paqë!
 
I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Muharrem Jakupaj!
 
Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu
 
Dekane