Njoftim për Konferencën e Parë Studentore të Fakultetit të Mjekësisë

09 Qershor 2025
SHARE

Më 04.06.2025, u zhvillua me sukses të jashtëzakonshëm Konferenca e Parë Studentore e Fakultetit të Mjekësisë, me pjesëmarrjen e rreth 500 studentëve, mentorëve dhe profesionistëve të fushës. E iniciuar nga menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe e mbështetur nga Këshilli Shkencor, Këshilli Organizativ dhe përfaqësuesit e studentëve, kjo ngjarje shënoi një moment historik për institucionin tonë, duke ofruar një platformë ku studentët patën mundësinë të prezantojnë punimet e tyre kërkimore në gjashtë sesione paralele dhe përmes prezantimeve në formë posterash.

Konferenca synon të shndërrohet në një traditë vjetore dhe të shërbejë si nxitje për zhvillimin e mëtejshëm të kërkimit shkencor në nivel studentor. Me mbi 50 abstrakte të pranuara nga pesë drejtimet e studimeve themelore, master dhe doktoratë, dhe me mbështetjen e fuqishme të dekanatit, mentorëve dhe odave profesionale të mjekëve, stomatologëve, farmacistëve dhe infermierëve, Konferenca dëshmoi përkushtimin tonë të përbashkët ndaj cilësisë akademike dhe vizionit të qartë për të ardhmen. Ne synojmë që ky fillim të zgjerohet drejt bashkëpunimit ndërdisiplinor dhe ndërkombëtarizimit të kësaj platforme kërkimore.