Programi Fizioterapi

Programi Master i Shkencës në Fizioterapi (MSc)

Programi Master i Shkencës në Fizioterapi (MSc) në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, është i përkushtuar që të njihet ndërkombëtarisht për praktikë dhe kërkime përmes përsosmërisë klinike, akademike dhe profesionale. Programi është i orientuar drejt kërkimit, duke bashkuar arsimimin, kërkimin shkencor si dhe praktikën klinike me synim të sigurimit të një përvoje të shkëlqyer studentore.

Qëllimi i këtij programi është të zhvillojë praktikues akademikë dhe hulumtues me kompetencë, të cilët vazhdimisht do të demonstrojnë kompetencat thelbësore të praktikimit të fizioterapisë në një fushëveprim të gjerë. Pritet që të diplomuarit të jenë në gjendje të ndajnë njohuritë e tyre me studentë, klientë, politikbërës dhe profesionistë të tjerë në mjedise shkencore, të marrin pjesë në hulumtime klinike dhe të kujdesit shëndetësor. Ata gjithashtu do të jenë në gjendje të mbledhin dhe analizojnë evidencë shkencore, të praktikojnë vendimmarrje të arsyeshme, të ushtrojnë gjykim të mirë, si dhe të përfshihen në të mësuarit gjatë gjithë jetës. Ata do të zhvillojnë kompetencë dhe ndjeshmërinë etike ndaj individëve dhe grupeve dhe do t'i demonstrojnë këto atribute në praktikën e tyre klinike.

Ky program studimi konsiderohet vazhdim i studimeve Bachelor në Fizioterapi, i cili është në përputhje me politikat ndërkombëtare edukative të fizioterapisë.

Qëllimet e programit MSc janë:

- fuqizimi i kapaciteteve kërkimore, aftësive, koncepteve dhe njohurive që lidhen me praktiken e fizioterapisë bazuar në evidencë

-perfitimi i njohurive akademike ndër-profesionale multi-disiplinore dhe specifike rreth ndikimeve të sektorëve të ndryshëm shëndetësor në praktikën e fizioterapisë

- përmirësimi i ndërkombëtarizimit dhe mobilitetit brenda ciklit të MSc

- krijimi i një bazë të përbashkët të njohurive mbi zhvillimin dhe zbatimin e programit MSc përmes kapaciteteve dhe masave për ndërtimin e institucioneve

- përgatitja e  studentëve të diplomuar që të bëhen praktikantë të mirë në lëminë e tyre