Përgjigje në kërkesën publike të Ministrit të Shëndetësisë

16 Nëntor 2020
SHARE


Për: Ministrin e Shëndetësisë, z. Armend Zemaj
Nga: Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu
Lënda: Përgjigje në kërkesën publike të Ministrit të Shëndetësisë

I nderuar Ministër i Shëndetësisë, z. Zemaj,
Ju faleminderit për interesimin për Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, ”Hasan Prishtina” (FMUPHP).
Lidhur me shqetësimin e ngritur për rritjen e numrit të studentëve pas përfundimit të gjithë procesit të konkursit për studentët e rinjë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës (FMUPHP), ju njoftoj se FMUPHP do të kërkojë rritjen e numrit të studentëve gjatë procesit të ardhshëm të riakreditimit të programeve mësimore në pajtim me kriteret e parapara nga ekspertët ndërkombëtarë, si dhe të Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC).
Kriteret e parapara ligjore të akreditimit janë të shumta, si dhe nuk kufizohen vetëm në ato akademike, financiare, infrastrukturore, por edhe në ndërlidhjen me tregun e punës. Çdo kërkesë për rritje të numrit të studentëve duhet të arsyetohet me planin e detajuar financiar (ndarje buxhetore), pasi studimet e mjekësisë kanë kosto të lartë financiare.
Në llidhje me tregun e punës ekspertët e akreditimit kërkojnë përgjigje lidhur me:
-    Numrin e të punësuarve pas diplomimit në vend (kanë njohuri se të diplomuarit e FMUPHP emigrojnë për punë në Evropë)
-    Lartësinë e pagave të mjekëve 
-    Kushtet e punës së mjekëve
-    Mbrojtja dhe siguria e mjekëve në vendin e punës

Të gjitha këto pyetje kërkohet të adresohen nga Oda e Mjekëve përmes pyetësorëve me të diplomuarit nga FMUPHP.
Studimet e mjekësisë kushtojnë shumë dhe FMUPHP është duke prodhuar mjekë kryesisht për Gjermani, Zvicër e tërë Evropën, duke ju ofruar falas këtë kuadër. Arsyet e largimit janë shume dimenzionale dhe arsyet më të fuqishme janë ato të cilat i ceka më lart: mungesa e punësimit të mjekëve, paga e ulët, kushtet jo të mira të punës në shëndetësinë Kosovare dhe mungesa e mbrojtjes në punë.
Pra, rritja e numrit të studentëve me proces të rregullt, sipas procedurave të akreditimit të përcaktuara me aktet ligjore në fuqi të Agjensionit të Akreditimit, do të ishte i mirëseardhur, ngase është vërtetë me prioritet Nacional.
Ju përkujtoj se, Ministri i Arsimit cakton kuotat e studentëve për pranim, para konkursit, bazuar në vendimet e Agjensionit të Akreditimit/Këshillit Shtetëror të Cilësisë (KShC) për programet e akredituara.
Vitin e kaluar Ministri i Arsimit kishte marrë vendim për rritje të numrit para shpalljes së konkursit, kur nuk janë ditur rezultatet e provimit pranues. KShC kishte refuzuar rritjen e numrit me arsyetimin se rritja eventuale mund të realizohet vetëm përmes procesit të akreditimit. Tani, situata është tërësisht ndryshe, ngase konkursi ka përfunduar në tërësi dhe dihen rezultatet.
Çështje tjetër, e cila i intereson eskpertëve ndërkombëtar janë studimet postdiplomike (shkollimi specialistik), i cili duhet të jetë prioritet, ngase ka të bëjë me shkollimin e mëtutjeshëm të mjekëve, stomatologëve,si dhe përgatitja e tyre për punë në sektorin shëndetësor.
Në çdo vend në Rajon dhe Evropë e më gjerë Fakulteti i Mjekësise organizon tërësisht shkollimin specialistik e jo si tek ne Ministria e Shëndetësisë. Prandaj, pyetjet e tyre janë të vazhdueshme për këtë çështje, ndërkaq ne nuk kemi përgjigje për mosorganizimin si duhet të shkollimit specialistik, mungesën e ligjeratave, seminareve, provimeve të koordinuara nga FMUPHP, ngase ky shkollim realizohet dhe koordinohet nga Ministria e Shëndetësisë. Ky proces është i degraduar që nga pas lufta.
Shumica e specializimeve janë ndarë nga Ministria e Shëndetësisë me vetëfinancim. Parashtrohet pyetja, ata specializantë, si do te mbijetojnë pa pagë, që rrjedhimisht kuptohet se duhet të punojnë edhe në ndonjë punë tjetër për të mbajtur familjen (përveç kur kanë kush ti financon në familje, që janë pak raste të tilla). Kjo është një pyetje e shpeshtë e ekspertëve se shkollimi specialistik kërkon angazhim 40 orësh në klinika, e si arsyetohet punësimi i tyre edhe në një vend tjetër të punës.
Por në fund, në këtë fazë emergjente të pandemisë, ku kemi një numër të lartë të të infektuarve dhe vdekjeve nga Covid-19; mungesë të terapisë adekuate antivirale të aprovuar nga FDA; të terapisë plotësuese tjetër, të cilat duhet të jenë falas për të gjithë pacientët që trajtohen në sektorin shëndetësor publik, mungesë të ofrimit të vaksinës ndaj viruseve sezonal, kujtoj se prioritet i Ministrisë së Shëndetësisë duhet të jetë shëndeti i popullatës.
Unë, do të kisha pritur më shumë nga Ministri i Shëndetësisë të kërkoj nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” konsultë nga profesorët, ekspertë të fushave të ndryshme për të diskutuar shkaqet e vdekshmërisë së lartë nga Covid-19, efektet e sëmundjes në organet e ndryshme, efektin e terapisë, a po bëhet autopsia, e shumë çështje profesionale interdisciplinare, të cilat do të ishin diskutuar në nivelin më të lartë akademik të FMUPHP, duke ditur se Qendra Klinike Universitare është Institucion shëndetësor terciar, falë Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Pra, emërtimi “Qendër Klinike Universitare” (fjala e fundit: Universitare) i vije nga Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, përndryshe do të ishte institucion sekondar shëndetësor. QKUK, duke qenë një institucion shëndetësor terciar duhet të jetë i integruar tërësisht me FMUPHP, për të diskutuar të gjitha çështjet shëndetësore me interes të përgjithshëm për shëndetin e popullatës. Sa për qartësim, institucionet private jane kolegje e jo Universitete, ndërkaq program të mjekësisë së përgjthshme (që prodhon mjekë), ofron vetëm Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Me respekt,
Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu
Dekane