Letër ngushellimi për vdekjen e Prof. Dr. Zenel Kabashit

25 Nëntor 2020
SHARE


Lajmi për vdekjen e Prof. Dr. Zenel Kabashit është një lajm i hidhur për të gjithë stafin e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Katedrës së Mjekesise Interne.

Prof. Dr. Zenel Kabashi ishte profesor i Mjekësisë Interne në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Prof. Zeneli u lind në fshatin Kabash të Prizrenit, ku dhe kreu shkollën fillore, ndërsa gjimnazin e përfundoi në Prizren. Më 1960 regjistroi studimet e larta në Fakultetin e Mjekësisë në Novi Sad, të cilat i vazhdoi më pas në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Sarajevës, ku edhe diplomoi më 1968.Në Klinikën Interne të Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë filloi punën profesionale më 1974. Specializimin nga Mjekësia interne e kreu më 1977 në Fakultetin e Mjekësisë në Beograd ku edhe magjistroi më 1979. Dr. Zenel Kabashi në vitin 1978 u zgjodh asistent në lëndën e Mjekësisë interne.Tezën e disertacionit të doktoratës me titull: “Studimi i mekanizmave të shfaqjes së sëmundjes ulceroze te personat me sëmundje kronike obstruktive mushkërore” e mbrojti më 1996. Në vitin 1997 u zgjodh Docent në lëndën e Mjekësisë interne në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Ai poashtu ishte themelues i Shërbimit Gastroenterologjik në kuadër të Klinikës Interne.Mentoroi shumë specializantë, magjistrantë dhe doktorantë. Dr. Zenel Kabashi është autor dhe koautor i një numri të konsiderueshëm punimesh profesionale dhe shkencore në vend dhe më gjërë.

Te gjithe ne, kolegët dhe studentët e tij, e kujtojmë si një shembull i shkëlqyer, i një profesori me intergritet të lart akademik,internist/gastroenterolog dhe mbi të gjithash si njeri me kulturë dhe i afërt.

Ne, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Mjekësisë ju shprehim ngushëllime të sinqerta, familjes së
Prof. Dr. Zenel Kabashit.

Nuk keni humbur vetëm ju bashkëshortin, babain dhe familjaren tuaj, por edhe i gjithë Fakulteti i Mjekësisë, një profesor të çmuar.

I nderuar Prof. Zenel, u prehsh në paqë!

I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Zenel Kabashin!
 

Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu
Dekane