NJOFTIM RRETH VENDIMIT PËR PEZULLIM TË MBAJTJES SË PROVIMEVE TË RREGULLTA TË AFATIT TË SHTATORIT DHE PROVIMEVE PRANUESE PËR STUDENTË TË RINJ

21 Shtator 2021
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë vendim për pezullim të mbajtjes së provimeve të rregullta të afatit të shtatorit dhe provimeve pranuese për pranimin e studentëve të rinj në afatin e dytë të konkursit për vitin akademik 2021/22, si dhe ricaktimin e orarit-dinamikës për realizimin e konkursit plotësues nr. 1/518, dt. 13.9.2021. Ky vendim është marrë në bazë të kompetencave të përcaktuara sipas nenit 25 dhe nenit 28 të Statutit të Universitetit të Prishtinës, si dhe në zbatim të vendimit Nr. 01/35, dt. 12.09.2021 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19.

Sipas këtij vendimi, të gjitha provimet e afatit të shtatorit të vitit akademik 2020/21, të cilat nuk janë mbajtur sipas datave të publikuara nga njësitë akademike, pezullohen deri më 26.09.2021. Mbajtja e provimeve të afatit të shtatorit, në qoftë se nuk do të ketë vendim tjetër të qeverisë për masa kufizuese, do të lejohet duke filluar nga data 27.09.2021, sipas dinamikës që përcaktohet nga njësitë akademike të Universitetit të Prishtinës.

Me këtë vendim, janë pezulluar deri më 26 shtator 2021 edhe provimet pranuese, të caktuara sipas dinamikës në konkursin plotësues nr. 1/518, dt. 13.9.2021 për pranimin e studentëve të rinj në nivelin e studimeve themelore-baçelor. Orarin e ri të mbajtjes së provimeve pranuese, në qoftë se nuk do të ketë vendim tjetër të qeverisë për vazhdim të pezullimit të aktivitetit mësimor, si dhe detajet e tjera të këtij vendimi i gjeni duke klikuar tek vendimi :

Vendim

Ky vendim ka hyrë në fuqi më 13 shtator 2021.