Konferenca "Stroke-Multimodal-Endovascular"

04 Prill 2025
SHARE

Sot, në Amfiteatrin e Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, u mbajt konferenca një-ditore "Stroke Multimodal Endovascular", një ngjarje e rëndësishme për avancimin e njohurive dhe praktikave në fushën e neurologjisë. Konferenca, e organizuar nga Shoqata e Neurologjisë së Kosovës, Shoqata e Radiologëve të Kosovës dhe Albanian Stroke Association, ishte një mundësi e shkëlqyer për profesionistët e fushës të ndanin eksperiencat dhe të diskutonin mbi metodat më të avancuara të trajtimit të goditjeve në tru.

Sesionet plenare, të cilat ishin thelbësore për ecurinë e konferencës, u mbajtën nga dy emra eminentë të fushës së neurologjisë, Prof. Emmanuel Houdart dhe Prof. Mentor Petrela. Këta dy profesionistë të shquar, me përvojë dhe njohuri të thella, kontribuan në pasurimin e diskutimeve dhe ofruan informacione të çmuara mbi trajtimet më të reja dhe qasjet inovative në trajtimin e goditjeve në tru. Kontributi i tyre ishte i padiskutueshëm, duke ofruar një mundësi të jashtëzakonshme për profesionistët tanë që të thellojnë njohuritë e tyre dhe të aplikojnë metoda të reja dhe të avancuara në punën e tyre të përditshme.

Në përshëndetjen e tij, kryetari i Shoqatës së Neurologjisë së Kosovës, Prof. Afrim Blyta, e hapi konferencën duke theksuar rëndësinë e këtij takimi dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e neurologjisë. Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e organizimit të ngjarjeve të tilla, që i mundësojnë profesionistëve të shkëmbejnë dijen dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre për t'iu përgjigjur më mirë nevojave të pacientëve.

Para fillimit të punimeve të konferencës, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë mirëpriti mysafirët e nderuar, duke theksuar se shtëpia jonë është një derë e hapur për të gjithë profesionistët dhe hulumtuesit e spikatur që dëshirojnë të ofrojnë ekspertizën dhe dijen e tyre për komunitetin e mjekëve tanë. Me një atmosferë mikpritjeje, ata u shprehën se ishte një nder i veçantë që këtë herë në mesin tonë kishim emra eminentë të fushës, siç janë Prof. Emmanuel Houdart dhe Prof. Mentor Petrela. Kjo mirëseardhje thekson rëndësinë e organizimeve dhe ngjarjeve të tilla që mundësojnë shkëmbimin e dijes, rritjen e nivelit të ekspertizës, intensifikimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përforcimin e lidhjeve mes ekspertëve të fushave.