Letër ngushellimi për vdekjen e Prof. Dr. Sejdullah Hoxha

07 Mars 2021
SHARE

Lajmi për vdekjen e Prof. Dr. Sejdullah Hoxha është një lajm i hidhur për të gjithë stafin e Fakultetit të Mjekësisë dhe Katedrës së Gjinekologjisë me Obstetrikë në veçanti.
Prof. Dr. Sejdullah Hoxha ishte profesor i Gjinekologjisë me Obstetrikë në Fakultetin e Mjekësisë, të Universitetit të Prishtinës.
U lind më 3 shkurt të vitit 1948 në fshatin Zhur komuna e Prizrenit. Shkollën fillore dhe të mesme i përfundoi në Prizren. Fakultetin e Mjekësisë e përfundoi në Prishtinë më 1977. Pas diplomimit u punësua në Qendrën Mjekësore në Prizren. Gjatë viteve 1977-1978 u angazhua si profesor për lëndët Gjinekologji dhe Kirurgji në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prizren. Prej vitit 1979 deri më 1990 punoi në Klinikën Gjinekologjike në Prishtinë. Specializimin nga Gjinekologjia e përfundoi në Shkup në vitin 1984 dhe me tutje punoi në Klinikën e Gjinekologjise me Obstetrike si specialist deri ne pensionim. Në vitin 1996 u emërua drejtues i maternitetit në Poliklinikën Humanitare “Nëna Terezë” në Prishtinë. Në vitin 1986 u zgjodh asistent i lëndës Gjinekologji me Obstetrikë në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Më 1999 u emërua Drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë me Obstetrikë në QKUK në Prishtinë. Ass. Dr. Sejdullah Hoxha i vijoi studimet pasdiplomike në Universitetin e Sarajevës gjatë periudhës 1986–1988, ndërsa tezën e doktoratës me titull: “Karakteristikat epidemiologjike socio-ekonomike dhe faktorët e tjerë që ndikojnë në lindjet e parakohshme gjatë periudhës pesëvjeçare në Kosovë” e mbrojti në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë në vitin 2000. Prej qershorit 2006 e deri në qershor 2007 ishte Prodekan për shëndetësi në FMP, dhe anëtar i Bordit Drejtues të QKUK-së.
Te gjithe ne, kolegët dhe studentët e tij, e kujtojme si një shembull i shkëlqyer, i një profesori me intergritet akademik, i një profesionisti gjinekolog-obstetër, autoritativ dhe një njeri i mirë dhe i afërt.

Ne, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Mjekësisë ju shprehim ngushëllime të sinqerta, familjes së Prof. Dr. Sejdullah Hoxha.

Nuk keni humbur vetëm ju bashkëshortin, babain dhe familjarin tuaj, por edhe i gjithë Fakulteti i Mjekësisë, një profesor të çmuar.

I nderuar Prof. Sejdullah, u prehsh në paqë!

I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Sejdullah Hoxhën!


Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu
Dekane