Leter ngushëllimi familjes se Prof. Dr. Shefqet Berishes

12 Shkurt 2022
SHARE

Me pikëllim të thellë morrëm lajmin e vdekjes së Prof. Dr. Shefqet Berishës.

Ky është një lajm i hidhur për të gjithë stafin e Fakultetit të Mjekësisë dhe Katedrën e Mjekësisë interne, në veçanti.

Te gjithe ne, kolegët dhe studentët e tij, e kujtojme si një shembull i shkëlqyer, i një profesori me intergritet të lart akademik, i një profesionisti-nefrolog dhe mbi të gjithash i një intelektuali me kulturë.

Prof. Dr. Shefqet (Rifat) Berisha, u lind me 13 Maj 1935 ne Suharekë. Shkollën katër vjecare e kreu në Suharekë, gjimnazin e ultë dhe të lartë në Prizren. Ishte gjenerata e parë e gjimnazit në gjuhën shqipe në Prizren. Në vitin 1956 u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Pasi i kreu me sukses tri vite të studimeve, vendosi të zhvendosej në Rjekë të Kroacisë. Në vitin 1959 regjistroi vitin e katërt në Fakultetin e Mjekësisë në Rijekë, qe ishte degë e Fakultetit të Zagrebit në Kroaci, dhe mori titullin Doktor i Mjekësisë në vitin 1962. Pas diplomimit, një vit e kaloi në Opati ku edhe përfundoi praktikën (stazhin), kurse dy vite tjera punoi në Suharekë në ambulatën e qytetit si mjek i praksës së përgjithshme. Në vitin 1967 filloi specializimin e mjekësisë interne në Spitalin e Përgjithshem në Prishtinë. Vitin e katërt dhe provimin specialistik e kreu në Shkup në vitin 1971, dhe më pas vazhdoi punën në Prishtinë si Specialist i Mjekësise Interne. Në vitin 1972, Dr. Shefqeti u zgjodh Asistent i Mjekësise Interne në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe më vonë vazhdoi ligjërimin si Profesor i kësaj lënde deri në pensionim në vitin 2000. Më 1975 vijoi studimet subspecialistike të Nefrologjisë dhe pas dy vjetësh mori titullin:  Internist – Nefrolog. Si nefrolog i vetëm në Kosovë, Dr. Shefqeti punoi palodhshëm që të përmirësonte kushtet e pacientëve dhe më 1977 në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm në Prishtinë, arriti të hapë Repartin e Nefrologjisë, dhe të filloi iniciativën për hapjen e Qendrës së Dializës, të cilën e udhëhoqi deri në pensionim. Falë punës së palodhshme dhe qëndrimit të tij se shërbimi duhet të jetë sa më afër pacientëve, në vitet pasuese Dr. Shefqeti organizoi punën për hapjen e qendrave të tjera të dializës anembanë Kosovës, duke filluar nga Prizreni, Gjilani, Ferizaj etj.  Doktoroi në vitin 1980 me temën: “Nefropatia Endemike ne Regjionin e Vitisë – Kosovë”, dhe mori titullin shkencor: Doktor i Shkencave Mjekësore. 

Ne, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Mjekësisë ju shprehim ngushëllime të sinqerta, familjes së Prof. Dr. Shefqet Berishës.

Nuk keni humbur vetëm ju bashkëshortin, babain dhe familjarin tuaj, por edhe i gjithë Fakulteti i Mjekësisë, një profesor të çmuar.

I nderuar Prof. Shefqet, u prehsh në paqë!

I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Shefqet Berishën!

Me respekt,

Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu

Dekane