Takim pasakreditues për programin MSc Fizioterapi në Fakultetin e Mjekësisë

10 Qershor 2026
SHARE

Më 8 qershor 2026, Fakulteti i Mjekësisë i Universitetit të Prishtinës priti vizitën pasakredituese të ekspertes ndërkombëtare Prof. Joke Denekens, në kuadër të procedurave të Agjencisë së Kosovës për Akreditim për programin Master i Shkencave në Fizioterapi (MSc Physiotherapy).

Gjatë vizitës u zhvilluan takime me menaxhmentin e Fakultetit, stafin akademik, zyrën për sigurimin e cilësisë, administratën, studentët dhe alumnit, si dhe u realizua vizita në hapësirat dhe infrastrukturën e programit. Diskutimet u fokusuan në progresin e arritur në adresimin e rekomandimeve të mëparshme, zhvillimin e programit, cilësinë e mësimdhënies, kërkimin shkencor, ndërkombëtarizimin dhe përmirësimin e vazhdueshëm të proceseve akademike.  

Fakulteti i Mjekësisë mbetet i përkushtuar ndaj avancimit të cilësisë dhe përmbushjes së standardeve më të larta në arsimin e lartë dhe kujdesin shëndetësor.