Urimi i Menaxhmentit të Fakultetit të Mjekësisë për Vitin e Ri 2025

27 Dhjetor 2024
SHARE

Të nderuar studentë, staf akademik, administrativ dhe mbështetës i Fakultetit të Mjekësisë,

Me rastin e përfundimit të këtij viti, dëshirojmë të ndajmë me ju një reflektim të shkurtër mbi rrugëtimin e përbashkët dhe të shprehim mirënjohjen tonë për angazhimin dhe përkushtimin tuaj.

Menaxhmenti i ri, që ka nisur punën me 1 Tetor të këtij viti, ka qenë i vetëdijshëm për sfidat dhe potencialin e madh që bart ky institucion. Gjatë këtyre muajve, kemi punuar intensivisht për të krijuar një mjedis që promovon ekselencën akademike, bashkëpunimin dhe inovacionin në të gjitha fushat e studimeve dhe kërkimeve tona.

Për studentët tanë, ju jeni frymëzimi dhe arsyeja kryesore e përpjekjeve tona. Viti që po përfundon na ka treguar fuqinë tuaj për të tejkaluar sfidat dhe për të arritur sukses. Ju inkurajojmë që edhe në vitin e ardhshëm të vazhdoni të synoni majat, duke u bazuar në dijen, humanizmin dhe integritetin profesional.

Për stafin akademik, kontributi juaj në edukimin dhe formimin e gjeneratave të reja të profesionistëve shëndetësorë është i pazëvendësueshëm. Ju falenderojmë për përkushtimin dhe profesionalizmin tuaj, si dhe për gatishmërën për të mirëpritur ndryshime që do të sjellin përparim të mëtejshëm në Fakultetin tonë.

Për stafin administrativ, ju jeni shtylla mbështetëse që siguron funksionimin e përditshëm të Fakultetit. Puna dhe dedikimi juaj janë thelbësore për krijimin e një ambienti mikpritës dhe efikas. Gjithashtu, shprehim mirënjohjen tonë të thellë ndaj stafit mbështetës që mbajnë pastërti dhe siguri në institucion, duke kontribuar për një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt për të gjithë.

Teksa hymë në vitin 2025, qëllimi ynë mbetet i qartë: të vazhdojmë të fuqizojmë kapacitetet tona, të avancojmë në proceset akademike dhe shkencore dhe të mbetemi një pikë referimi në arsimin e lartë të fushave mjekësore në vend dhe më gjerë.

Ju urojmë të gjithëve festën e Vitit të Ri, duke uruar për një vit që po vjen me shëndet të plotë, suksese dhe lumturi. Le të vazhdojmë së bashku rrugëtimin tonë drejt arritjeve të reja.

Me respekt dhe mirënjohje,

Menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë