E nderuar familje e Prof. Dr. Isuf Dedushaj,
Me dhembje të thellë pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Isuf Dedushaj. Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për ju si familje, por edhe për mbarë komunitetin akademik dhe shkencor të Fakultetit të Mjekësisë, veçanërisht për Katedrën e Epidemiologjisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, të cilat i udhëhoqi me përkushtim e vizion.
Prof. Dr. Isuf Dedushaj ishte një figurë e shquar e mjekësisë kosovare, një akademik i përkushtuar dhe një intelektual me dije të thella, i cili la një trashëgimi të çmuar në fushën e epidemiologjisë dhe shëndetit publik. Me integritetin dhe profesionalizmin e tij, ai shërbeu si një udhërrëfyes për shumë gjenerata studentësh e kolegësh, duke lënë pas një kontribut të pashoq në zhvillimin e arsimit dhe shëndetësisë në Kosovë.
Në emër të menaxhmentit, stafit akademik dhe administrativ të Fakultetit të Mjekësisë, ju shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta. Humbja juaj është edhe humbja jonë – një mentor dhe profesor i rrallë, një personalitet me vlera të larta akademike e njerëzore.
I nderuar Prof. Isuf, qoftë i lehtë dheu për Ju!
Kujtimi për Ju do të mbetet i përjetshëm!
Me respekt,
Prof. Sefedin Muçaj
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë
Universiteti i Prishtinës