Takim me përfaqësues të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë

12 Mars 2026
SHARE

Sot me datë 12.03.2026 në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë, menaxhmenti i fakultetit zhvilloi një takim me përfaqësues të studentëve, përfshirë përfaqësues të Parlamentit Studentor dhe studentë të gjeneratave të ndryshme të Fakultetit të Mjekësisë.

Parlamenti Studentor dhe përfaqësuesit e tij në Senatin e Universitetit të Prishtinës përbëjnë një përfaqësim të rëndësishëm dhe dinjitoz të studentëve, duke kontribuar në avancimin e interesave të studentëve të Universitetit të Prishtinës, e në veçanti të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë.

Gjatë takimit u diskutuan disa iniciativa dhe propozime që synojnë përmirësimin e kushteve të studimit dhe avancimin e shërbimeve për studentët. Ndër temat e trajtuara ishte edhe propozimi për zhvillimin e platformës digjitale “E-Mjekësia”, mundësitë për digjitalizimin e disa shërbimeve për studentët, si dhe çështje që lidhen me shfrytëzimin e hapësirave për lexim gjatë periudhës së renovimit të bibliotekës dhe organizimin e ligjëratave për drejtimin Farmaci në hapësira me kapacitet më të madh.

Po ashtu, gjatë takimit u diskutuan edhe çështje të tjera që lidhen me shqetësimet dhe nevojat e studentëve, me qëllim që për to të gjenden zgjidhje sa më adekuate dhe në të mirë të procesit mësimor, siç janë vijueshmëria në mësim, organizimi dhe mënyra e zgjedhjes së lëndëve zgjedhore, si dhe nevoja për zhvillimin e metodave më bashkëkohore dhe interaktive të mësimdhënies.

Menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë mbetet i përkushtuar për të mbështetur çdo iniciativë konstruktive që vjen nga studentët dhe përfaqësimet e tyre, duke ruajtur një qasje të hapur, gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese me të gjithë studentët.

Studentët mbeten partnerë të rëndësishëm në zhvillimin dhe avancimin e vazhdueshëm të Fakultetit të Mjekësisë.