Fillimi i Campus Trial për Fakultetin e Mjekësisë – AMBOSS

12 Mars 2026
SHARE

Fakulteti i Mjekësisë njofton fillimin e Campus Trial për platformën mjekësore AMBOSS. Me këtë rast, fakulteti priti në vizitë Menaxherin për Bashkëpunime Institucionale të AMBOSS, Manish Bajaj, me qëllim zyrtarizimin e këtij bashkëpunimi dhe diskutimin e mundësive për një marrëveshje afatgjate ndërmjet institucioneve.

Pas takimit me Menaxhmentin e Fakultetit të Mjekësisë, u zhvillua edhe një takim me Prorektoren për Mësimdhënie dhe Çështje Studentore, Prof. Majlinda Gjelaj, ku u diskutua për përfitimet që kjo platformë mund t’u ofrojë studentëve dhe stafit akademik.

Campus Trial do të fillojë më 16 mars dhe gjatë kësaj periudhe studentët dhe stafi akademik do të kenë qasje falas për më shumë se dy muaj në platformën AMBOSS. Aktivizimi i qasjes do të bëhet përmes emailit institucional (@student.uni-pr.edu dhe @uni-pr.edu), ku përdoruesit do të pranojnë një email konfirmimi nga AMBOSS për hapjen ose vazhdimin e llogarisë së tyre në platformë.

Ky bashkëpunim është mundësuar me kontributin e Ambasadorit të AMBOSS në Kosovë, Albrim Rudi, si dhe në bashkëpunim me Prodekanen e Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Aurora Bakalli.

AMBOSS është një platformë moderne mjekësore që ofron literaturë bashkëkohore, pyetje klinike dhe materiale të përditësuara, të cilat mund të shfrytëzohen për studim, përgatitje për provime dhe përditësim të vazhdueshëm të njohurive në mjekësi. Studentët dhe stafi akademik inkurajohen ta shfrytëzojnë këtë mundësi gjatë periudhës së Campus Trial.

Fakulteti i Mjekësisë shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për AMBOSS për ofrimin e kësaj mundësie për studentët dhe stafin akademik, e cila kontribuon në përmirësimin e procesit të të nxënit dhe qasjes në literaturë bashkëkohore mjekësore.