Dega e Stomatologjisë e Fakultetit të Mjekësisë, feston 50 vjetorin e themelimit

25 Prill 2025
SHARE

Me dt. 24.04.2025, në ambientet e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, u shënua 50 vjetori i themelimit të Degës së Stomatologjisë, ngjarje kjo që pasqyron një moment të rëndësishëm në historinë e Fakultetit dhe kontribuon në fuqizimin e identitetit profesional dhe akademik të stomatologjisë në vend.
Të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse, fillimisht iu drejtua dekani i FM-së dhe njëherit edhe kryesuesi i këshillit organizativ i këtij jubileu, Prof. Sefedin Muçaj, i cili paraqiti të dhëna të rëndësishme sa i përket Degës së Stomatologjisë, duke shprehur kështu përgëzime për punën e deritanishme dhe duke uruar suksese të mëtejme për degën në fjalë. Dekani njëherit falenderoi profesorët doajenë të Degës së Stomatologjisë, si dhe tërë stafin ndër vite për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe avancimin e stomatologjisë, si dhe edukimin e gjeneratave të shumta.  
Me një fjalë përshëndetëse dhe urimi, të pranishmëve iu drejtua edhe Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Arben Hajrullahu, i cili vlerësoi dhe shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuan deri më sot për zhvillimin dhe ngritjen e degës, si në aspektin akademik poashtu edhe profesional.  
Më pas, prezantimin e historisë së themelimit dhe zhvillimit të Degës së Stomatologjisë në periudha të ndryshme, e bëri shefja e degës, Prof. Gloria Staka, me çrast prezantoi të gjithë mësimdhënësit sipas katedrave përkatëse, si dhe kontributet e tyrenë aspektin akademik, profesional dhe shkencor.      
Në emër të profesorëve doajenë, të pranishmit i përshëndeti Prof. dr. Osman Sejfija, Prof. dr. Adil Raka, si dhe pedagogu i FM-së, Dr. Ismajl Dreshaj.
Poashtu, me një fjalim rasti u paraqit edhe studentja e dekoruar nga UP-ja me titullin “ Student i dalluar”, Tringa Blakaj.
Me qëllim vlerësimi të kontributit të institucioneve, mësimdhënësve, si dhe personelit shëndetësor në të gjitha fazat e zhvillimit të Degës së Stomatologjisë, u ndanë poashtu disa mirënjohje.
Menaxhmenti i FM-së, falënderon të gjithë pjesëmarrësit që nderuansolemnitetin e sotëm, përfshirë këtu institucionet, profesorët doajenë, mësimdhënësit ndër vite, profesionistët shëndetësorë, gjeneratën e parë të regjistruar në vitin 1975, studentët aktual, stafin administrativ, etj.
Një falënderim i veçantë u drejtohet gjithë anëtarëve të Këshillit Organizativ për kontributin e tyre të çmuar, me theks të veçantë në angazhimin e Prodekanes, Prof. Assoc. Miranda Stavileci, e cila, si pjesë e këtij këshilli, ka dhënë një kontribut thelbësor në organizimin e të gjithë aktivitetit – nga faza fillestare e planifikimit e deri në përmbylljen e suksesshme të tij.
Një falënderim shkon poashtu edhe për menaxhmentin e Fakultetit të Arteve, të cilët na mbështetën dhe nderuan me pika artistike dhe realizimin e fotografive në kuadër të solemnitetit për ditëlindjen e 50-të të Degës së Stomatologjisë.  
Falënderojmë të gjithë personelin e Degës së Stomatologjisë që kontribuan në realizimin e këtij eventi, pa lënë anash këtu edhe sekretaren e degës, Ass.dr. Nora Berisha, e cila me sukses e moderoi programin e ceremonisë së përvjetorit të 50-të të  Degës së Stomatogjisë.


Jetë të gjatë dhe suksese të mëtejshme për Degën e Stomatologjisë!