Ceremonia e ndarjes së mirënjohjeve për studentët bursistë të Fakultetit të Mjekësisë

16 Maj 2025
SHARE

Me datë 16 maj 2025, në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë u mbajt ceremonia solemne e ndarjes së mirënjohjeve për studentët bursistë, si shenjë vlerësimi për përkushtimin, suksesin dhe arritjet e tyre akademike gjatë vitit të kaluar.

Kjo ngjarje u organizua me iniciativë të Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë, nën udhëheqjen e kryetarit Fatjon Haxhaj, me përkushtimin e anëtarëve të tjerë të këshillit dhe në bashkëpunim të ngushtë me menaxhmentin e Fakultetit të Mjekësisë. Qëllimi i kësaj ceremonie ishte jo vetëm të nderohen studentët ekselentë, por edhe të promovohet një frymë mbështetëse dhe motivuese për të gjithë studentët e Fakultetit.

Ceremonia u hap nga kryetari i Këshillit Studentor, Fatjon Haxhaj, i cili përshëndeti të pranishmit dhe uroi studentët bursistë për angazhimin e tyre të palodhshëm dhe suksesin e treguar.

Në vijim, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Sefedin Muçaj, mbajti një fjalë rasti duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me organizatat studentore si faktor kyç për avancimin e cilësisë në arsimin mjekësor. Ai gjithashtu përgëzoi studentët për rezultatet e arritura dhe i inkurajoi që të vazhdojnë të jenë shembull i angazhimit profesional dhe shërbimit ndaj komunitetit.

Gjatë ceremonisë, rreth 185 studentë bursistë nga të gjitha drejtimet e Fakultetit të Mjekësisë u nderuan me mirënjohje simbolike për arritjet e tyre akademike.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Prodekani për Mësim, Prof. Dr. Naser Ramadani, i cili përshëndeti këtë iniciativë të veçantë dhe vlerësoi lart angazhimin e studentëve dhe përkushtimin e tyre për ndërtimin e një mjedisi akademik të suksesshëm dhe bashkëpunues.

Fakulteti i Mjekësisë mbetet i përkushtuar për të mbështetur çdo iniciativë që synon promovimin e vlerave akademike, fuqizimin e studentëve dhe zhvillimin e gjeneratave të reja të profesionistëve të shëndetësisë.