Pjesëmarrja dhe kontributi i Prof. Lul Raka në Konferencën për Qëndrueshmëri në Hamburg – një moment i rëndësishëm për Fakultetin e Mjekësisë dhe Universitetin e Prishtinës
Më 2–3 qershor 2025, në Hamburg të Gjermanisë, u mbajt Konferenca për Qëndrueshmëri, një forum i rëndësishëm ndërkombëtar i organizuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), Qeveria Gjermane, Fondacioni Michael Otto dhe Qyteti i Hamburgut. Konferenca mblodhi liderë globalë nga fusha të ndryshme për të diskutuar zgjidhje transformuese për përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).
Kosova u përfaqësua me dinjitet nga Prof. Lul Raka, udhëheqës i Programit Nacional për Rezistencën Antimikrobike (RAM), në tryezën e nivelit të lartë të organizuar nga ICARS dhe ReAct Africa, kushtuar sfidës globale të RAM. Kontributi i tij profesional dhe angazhimi në këtë forum ndërkombëtar theksoi qasjen serioze që Kosova i jep këtij problemi kompleks që prek shëndetin publik, mjedisin dhe bujqësinë.
Përfaqësimi i Prof. Rakës nuk ishte vetëm simbolik – ai dha zë përvojës dhe përkushtimit institucional të Kosovës në luftën kundër RAM, si dhe ndau praktikat dhe sfidat në kontekstin e vendeve me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Ky kontribut u vlerësua në kuadër të përpjekjeve globale për të forcuar bashkëpunimin ndër sektorial dhe për të përfshirë RAM-in në agjendat kombëtare të zhvillimit përmes qasjes “Një Shëndet”.
Angazhimi i tij në këtë konferencë përbën një moment të rëndësishëm për Fakultetin e Mjekësisë dhe Universitetin e Prishtinës, duke dëshmuar se ekspertiza shkencore dhe vizioni strategjik i Kosovës mund të jenë pjesë aktive dhe e barabartë e skenës ndërkombëtare.
Linku ne Fb : https://www.facebook.com/share/p/1FJh8irLny/