Delegacioni nga Universiteti Mjekësor i Lublinit vizitoi Fakultetin e Mjekësisë

03 Korrik 2026
SHARE

Në kuadër të programit Erasmus+ KA171, Fakulteti i Mjekësisë  me dt. 30.06.2026 mirëpriti një delegacion nga Universiteti Mjekësor i Lublinit, i përbërë nga Prof. Agnieszka Ludwiczuk, Dr. Jarosław Widelski dhe Agnieszka Billewicz-Kwiatek, Koordinatore e Erasmus-it nga Zyra për Shkëmbim Akademik.

Delegacioni u mirëprit nga menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë, ku u zhvillua një takim gjatë të cilit u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Përveç bashkëpunimit të deritanishëm në fushën e Farmacisë, palët shqyrtuan mundësitë për përfshirjen edhe të degëve të tjera të Fakultetit të Mjekësisë në aktivitetet e përbashkëta akademike, shkencore dhe të mobilitetit në kuadër të programit Erasmus+.

Pas takimit me menaxhmentin, delegacioni zhvilloi një takim edhe me personelin akademik dhe studentët e fakultetit, ku u prezantuan mundësitë që ofron programi Erasmus+ dhe u diskutua për intensifikimin e bashkëpunimit në fushën e mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik.

Në vijim të vizitës, Koordinatori për Shkencë, Prof. asoc. Armond Daci, i mirëpriti mysafirët në Laboratorin për Kërkime në Mjekësinë e Aplikuar dhe Nanobioshkencë, ku u prezantuan kapacitetet kërkimore të laboratorit, projektet shkencore në zhvillim dhe mundësitë për realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore ndërmjet dy institucioneve.

Në këto takime morën pjesë edhe Prof. Pranvera Breznica nga Dega e Farmacisë, Prof. Adnan Bozalija, shef i Degës së Farmacisë, si dhe stafi administrativ i Fakultetit të Mjekësisë dhe Koordinatorja për Zhvillim Akademik.

Vizita shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit ndërmjet dy institucioneve, duke krijuar mundësi të reja për bashkëpunim.