Shënohet Dita Botërore e Shëndetit

10 Prill 2026
SHARE

Prishtinë, 7 prill 2026

Nën moton “Së bashku për shëndetin. Qëndrojmë me shkencën”, Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), organizoi një tryezë të rrumbullakët me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të institucioneve shëndetësore dhe akademike, përfshirë edhe Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Në këtë tryezë morën pjesë Zv. Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arsim Berisha, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, Prof. Dr. Sefedin Mucaj , Drejtoresha e IKShPK, Dr. Ardita Baraku, Shefja e Zyrës së OBSH-së në Kosovë, Prof . Asoc. Dr. Isme Humolli, Koordinatori për cilësi dhe shkencë në Fakultetin e Mjekësisë, Prof. Asoc. Armond Daci, si dhe profesionistë shëndetësorë.

Në cilësinë e Dekanit dhe në emër të menaxhmentit të Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Sefedin Muçaj mori pjesë në këtë ngjarje, duke përshëndetur pjesëmarrësit dhe duke uruar për këtë ditë të rëndësishme, si dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të vendimmarrjes së bazuar në shkencë për avancimin e shëndetit publik.

Gjatë tryezës u prezantuan tema të ndryshme nga fusha e shëndetit publik, duke reflektuar mbi sfidat aktuale dhe nevojën për qasje të integruar në mbrojtjen dhe promovimin e shëndetit.

Fakulteti i Mjekësisë mbetet i përkushtuar në zhvillimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit institucional, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të shëndetit të popullatës.