Me dt. 24 prill 2026 në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës u mbajt aktiviteti zyrtar për lansimin e Institutit të Farmacisë, një iniciativë me rëndësi të veçantë për zhvillimin akademik, shkencor dhe profesional në fushën e farmacisë.
Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të lartë institucional dhe akademik, përfshirë Prof Arben Hajrullahu, Rektor i Universitetit të Prishtinës, Z. Hajrullah Çeku, Ministër i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof Sefedin Muçaj, si dhe Prof. Asoc. Adnan Bozalija, Shef i Degës së Farmacisë. Të pranishëm ishin gjithashtu profesorë dhe partnerë ndërkombëtarë, Prof. Russell Ganim dhe Prof. Donald Letendre Universiteti i Iowa-s dhe Prof. Titta Pirkola, Universiteti i Helsinkit (Projekti 4InnoPipe2), përfaqësues të institucioneve publike, sektorit farmaceutik, industrisë dhe odave profesionale, si dhe përfaqësues të komunitetit akademik vendor dhe ndërkombëtar, si dhe Prof. Asoc. Pranvera Breznica.
Aktiviteti u hap me fjalë përshëndetëse nga Rektori i Universitetit të Prishtinës dhe Ministri i Arsimit, ndërsa në vijim u adresuan të pranishmëve Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Shefi i Degës së Farmacisë dhe profesorë ndërkombëtarë. Aktiviteti u përmbyll me fjalën e Prof. Asoc. Pranvera Breznicës.
Në fjalën e tij, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë theksoi se lansimi i Institutit të Farmacisë përbën një hap strategjik drejt avancimit të kapaciteteve akademike dhe kërkimore të Fakultetit, si dhe drejt forcimit të lidhjes ndërmjet edukimit dhe praktikës profesionale.
Dekani nënvizoi se Instituti i Farmacisë do të shërbejë si:
• platformë për zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e farmacisë;
• mekanizëm për lidhjen e drejtpërdrejtë të edukimit me tregun e punës;
• dhe strukturë që kontribuon në rritjen e cilësisë së programeve studimore.
Gjithashtu, u theksua rëndësia e ndërlidhjes së edukimit, kërkimit shkencor dhe praktikës profesionale, si dhe nevoja që programet studimore të reflektojnë kërkesat reale të sistemit shëndetësor dhe tregut të punës.
Ky zhvillim është në përputhje me trendet bashkëkohore evropiane, ku universitetet po transformohen në qendra të inovacionit dhe ndikimit real në shoqëri. Në këtë kontekst, u veçua roli i projektit ndërkombëtar 4InnoPipe2 si një model që promovon integrimin e dijes me inovacionin dhe aplikimin praktik.
Gjatë aktivitetit u theksua rëndësia e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Universitetin e Ajovës dhe institucione të tjera akademike, si dëshmi e orientimit të Fakultetit drejt standardeve globale dhe shkëmbimit të përvojave më të avancuara.
Në përmbyllje, u nënvizua se funksionalizimi i Institutit të Farmacisë kërkon angazhim të përbashkët të të gjithë akterëve, duke synuar zhvillimin e projekteve konkrete, fuqizimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe avancimin e sektorit farmaceutik në vend.
Fakulteti i Mjekësisë mbetet i përkushtuar për të mbështetur këtë iniciativë si një strukturë kyçe për zhvillimin e arsimit, kërkimit shkencor dhe sistemit shëndetësor në Kosovë











