Menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, i përbërë nga Dekani, prodekanët dhe sekretari i Fakultetit, realizoi një vizitë zyrtare në Universitetin Mjekësor të Grazit, Austri.
Gjatë vizitës, delegacioni i Fakultetit të Mjekësisë u prit nga Univ.-Prof. DDr. Norbert Jakse, Shef i Departamentit të Mjekësisë Dentare dhe Shëndetit Oral dhe Kryetar i Senatit të Universitetit Mjekësor të Grazit, si dhe nga Univ. OA. Priv.-Doz. Dr.scient.med. Dr.med.dent. Barbara Kiernbauer, Prodekane për Studime dhe nga Prof. Lumnije Kqiku, Shefe e Njësisë Klinike të Endodoncisë dhe Traumës Dentare në Departamentin e Mjekësisë Dentare dhe Shëndetit Oral të Universitetit Mjekësor të Grazit, anëtare e Komitetit të Kurrikulës së Shkollave Doktorale për Stomatologji dhe Kirurgji Maksilofaciale, si dhe koordinatore akademike e rrjetit CEEPUS në Universitetin Mjekësor të Grazit. Njëkohësisht, ajo është e angazhuar si profesoreshë vizitore në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës në kuadër të programit Brain Gain.
Gjatë takimeve u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimet akademike, mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik, si dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fushën e arsimit, kërkimit shkencor dhe inovacionit. Takimet konfirmuan gatishmërinë e të dy institucioneve për të thelluar bashkëpunimin akademik dhe shkencor në të ardhmen.
Ditën pasuese, delegacioni mori pjesë në Simpoziumin e III-të të Shoqatës së Mjekëve Shqiptarë në Austri (SHMSHA), të mbajtur më 13 qershor 2026 në Graz, ku u prezantuan dhe u diskutuan një numër i konsiderueshëm punimesh shkencore nga profesionistë të fushës së mjekësisë dhe shkencave shëndetësore.
Në hapje të simpoziumit, fjalë përshëndetëse mbajti Prof. Dr. Gerhard Wirnsberger, internist dhe nefrolog i njohur nga Grazi dhe personalitet i respektuar i komunitetit mjekësor të Steiermarkut, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit profesional dhe shkencor ndërmjet institucioneve mjekësore të Austrisë dhe vendeve të rajonit.
Me këtë rast, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë shprehu vlerësimin e veçantë për kontributin e Prof. Dr. Lumnije Kqikut dhe Prof. Dr. Emir Haxhiut, të cilët, në kuadër të programit Brain Gain të Universitetit të Prishtinës, janë të angazhuar si profesorë vizitorë në Fakultetin e Mjekësisë. Përvoja e tyre akademike dhe profesionale, e fituar në institucione prestigjioze ndërkombëtare, paraqet një vlerë të rëndësishme për studentët, stafin akademik dhe zhvillimin e programeve studimore të Fakultetit.
Po ashtu, paraqitja online e Prof. Dr. Rifat Latifit, personalitet me reputacion të lartë ndërkombëtar në fushën e mjekësisë, i dha një peshë dhe vlerë të veçantë këtij simpoziumi.
Në simpozium mori pjesë edhe Prof. Asoc. Dr. Vedat Elezi, profesor universitar në Francë, i cili prezantoi punimin e tij shkencor dhe kontribuoi në pasurimin e diskutimeve akademike e shkencore, duke forcuar më tej karakterin ndërkombëtar dhe cilësinë profesionale të këtij aktiviteti.
Simpoziumi vazhdoi me prezantime të shumta shkencore nga mjekë, studiues dhe profesionistë të fushave të ndryshme të mjekësisë dhe shkencave shëndetësore, të cilët jetojnë dhe veprojnë në Graz dhe në rajone të tjera të Austrisë. Përmes rezultateve të kërkimeve të tyre, përvojës së pasur profesionale dhe angazhimit të vazhdueshëm në institucionet shëndetësore dhe akademike austriake, ata kontribuuan në pasurimin e programit shkencor, shkëmbimin e njohurive bashkëkohore dhe forcimin e bashkëpunimit profesional ndërmjet kolegëve.
Prania dhe kontributi i këtyre personaliteteve dëshmojnë rëndësinë e diasporës akademike dhe profesionale shqiptare në avancimin e shkencës, arsimit dhe praktikës bashkëkohore mjekësore, si dhe në forcimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës, Austrisë dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare.
Po ashtu, delegacioni u takua me kolegët nga Fakulteti i Mjekësisë, përfitues të bursave të mobilitetit akademik në kuadër të programit CEEPUS/OeAD, përkatësisht Asst. Dr. Sc. Toskë Kryeziu dhe PhDc Venesa Lupçi, të cilët aktualisht po zhvillojnë aktivitete akademike dhe kërkimore në Universitetin Mjekësor të Grazit. Në kuadër të këtij programi janë të angazhuar edhe Prof. Asoc. Dr. Mimoza Basholli, si dhe dy studentë të programit të Farmacisë.
Ky bashkëpunim dëshmon rëndësinë e programeve ndërkombëtare të mobilitetit në avancimin e kapaciteteve akademike, shkencore dhe profesionale të Fakultetit të Mjekësisë dhe Universitetit të Prishtinës.
Një takim i veçantë u zhvillua edhe me z. Albinot Bimbashi, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri. Gjatë këtij takimi u diskutuan mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve akademike dhe shkencore të Kosovës dhe Austrisë, si dhe mbështetja e iniciativave që kontribuojnë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe komunitetit akademik shqiptar në diasporë.
Me këtë rast, z. Bimbashi shprehu gatishmërinë e Ambasadës së Republikës së Kosovës për të mbështetur nismat që promovojnë bashkëpunimin akademik, shkencor dhe institucional ndërmjet dy vendeve.
Kjo vizitë dhe pjesëmarrja në simpozium përbëjnë një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Fakultetit të Mjekësisë dhe forcimit të lidhjeve me diasporën akademike shqiptare, në funksion të avancimit të arsimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional.
Njëkohësisht, ato dëshmojnë përkushtimin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës për të zgjeruar partneritetet ndërkombëtare dhe për të krijuar mundësi të reja bashkëpunimi në dobi të studentëve, stafit akademik dhe zhvillimit të shkencës mjekësore në Kosovë.















