Sot, Dekanati i Fakultetit të Mjekësisë hapi dyert për rreth 700 pjesëmarrës, në kuadër të Hapjes Solemne të Konferencës së Dytë Studentore, e cila këtë vit mbahet nën sloganin “Studentët sot, profesionistët e nesërm.”
Gjatë ditës, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndjekin gjithsej 94 prezantime të punimeve shkencore, të përgatitura nga studentë të fushave të ndryshme të mjekësisë dhe shkencave shëndetësore, si dhe ligjërues vendor dhe ndërkombëtarë. Kjo konferencë përfaqëson një platformë të rëndësishme për promovimin e punës kërkimore, zhvillimin akademik dhe fuqizimin e rolit të studentëve në shkencë dhe profesion.
Në ceremoninë solemne me fjalë rasti u paraqitën:
Prof. Dr. Sefedin Muçaj, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë;
Prof. Asoc. Majlinda Gjelaj, Prorektore për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore në Universitetin e Prishtinës;
Prof. Asoc. Dr. Aurora Bakalli, Prodekane për Mësimdhënie dhe Çështje Studentore;
si dhe Dion Bajramaj, Kryetar i Këshillit Studentor.
Në fjalimet e tyre u theksua rëndësia e angazhimit studentor në kërkimin shkencor, bashkëpunimit akademik dhe përgatitjes së gjeneratave të reja për sfidat profesionale të së ardhmes.
Konferenca e Dytë Studentore dëshmon përkushtimin e Fakultetit të Mjekësisë për të krijuar hapësira ku studentët mund të shfaqin potencialin e tyre akademik, shkencor dhe profesional.












