Më 23 qershor 2026, në ambientet e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, u mbajt me sukses Punëtoria Ndërkombëtare “From Evidence to Decision: Pharmacoepidemiology, Health Economics, and AI-Enabled Digital Tools”, e organizuar nga Universiteti i Prishtinës në kuadër të para-sesioneve të Prishtina International Summer University (PISU) 2026.
Punëtorinë e hapi Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Dr. Arben Hajrullahu, ndërsa pjesëmarrësit i përshëndeti edhe Prof. Dr. Sefedin Muçaj, Dekan i Fakultetit të Mjekësisë, i cili theksoi rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve akademike dhe kërkimore në fushat e farmakoepidemiologjisë, ekonomisë shëndetësore dhe inteligjencës artificiale në shëndetësi. Fjalë rasti mbajtën gjithashtu Prof. Asoc. Pranvera Breznica, Drejtoreshë e Institutit të Farmacisë, si dhe përfaqësues të Odës së Farmacistëve të Kosovës.
Gjatë punëtorisë u trajtuan tema bashkëkohore dhe me rëndësi strategjike për sistemin shëndetësor, duke përfshirë:
farmakoepidemiologjinë dhe përdorimin e evidencës nga bota reale (Real-World Evidence);
proceset rregullatore për miratimin e barnave në Evropë;
ekonominë shëndetësore dhe analizat e kostos-efektivitetit në vendimmarrje;
aplikimin e inteligjencës artificiale dhe mjeteve digjitale në kërkim shkencor, praktikë klinike dhe hartimin e politikave shëndetësore.
Ligjëratat u udhëhoqën nga ekspertë ndërkombëtarë dhe vendor të njohur:
Prof. Dr. Olaf Klungel,
Prof. Dr. Zanfina Ademi, dhe
Prof. Dr. Kreshnik Hoti,
të cilët ndanë përvojat dhe praktikat më të avancuara ndërkombëtare me studentët e doktoratës, hulumtuesit e rinj, profesionistët shëndetësorë dhe përfaqësuesit e institucioneve publike.
Kjo punëtori paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, promovimin e kërkimit shkencor dhe avancimin e arsimit universitar në Fakultetin e Mjekësisë, duke kontribuar në përgatitjen e profesionistëve të aftë për të marrë vendime të bazuara në evidencë dhe për të përdorur teknologjitë më të reja në shërbim të shëndetit publik.
Fakulteti i Mjekësisë – Universiteti i Prishtinës







