Bashkëpunimet

Duke pasur parasysh globalizimin në rritje në të gjitha fushat e jetës, universitetet, me obligimin që kanë marrë në arsim, kërkim dhe transfer të dijes, kanë një rol qendror si bartës të ndryshimit. Vetëm një universitet që e koncepton veten si pjesë përbërëse të komunitetit universitar global dhe vepron në përputhje me rrethanat do të jetë i vlefshëm në plan afatgjatë.

Bashkëpunimi ndërkombëtar ka një vlerë të madhe për UP-në dhe është i domosdoshëm për përmbushjen e plotë të qëllimit të tij. Në nivelin institucional, bashkëpunimi ndërkombëtar për UP-në siguron një shtysë thelbësore për inovacion në mësimdhënie, në mësimnxënie dhe në kërkime shkencore, ndërsa në nivelin individual ai përbën pasurim akademik dhe personal për të gjithë të përfshirët në këtë proces. Programet ndërkombëtare të studimit e mobilitetit u ndihmojnë studentëve që së bashku me mundësitë e studimit, hulumtimit, të kenë mundësi edhe në ngritjen e vetëdijes kulturore. Sa i përket mësimdhënies, përfitimet përfshijnë edhe zhvillimin e kurrikulave dhe gradave shkencore në bashkëpunim me institucionet partnere.

Bashkëpunimi ndërkombëtar universitar është bërë një komponent i rëndësishëm i mësimdhënies, studimit dhe kërkimit edhe në UP. Ai gjithashtu forcon aftësitë ndërkulturore të studentëve, stafit akademik dhe atij administrativ. Ndihmon në fitimin e përvojave të reja, qoftë të mësimdhënies, të mësimnxënies apo edhe të administrimit. Në të njëjtën kohë kontribuon në ngritjen e profilit të universitetit tonë si pjesë e sistemit të arsimit të lartë në botë.

Prandaj, UP-ja i kushton rëndësi intensifikimit të bashkëpunimit ndërkombëtar nëpërmjet lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit për shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik. Kjo bëhet edhe nëpërmjet pjesëmarrjes intensive në programin e mobilitetit të kredive në Erasmus+, si dhe në bashkëpunimin me shtetet fqinje, BE-në dhe më gjerë. Kjo ka ndikuar që bashkëpunimet ndërkombëtare midis institucioneve të forcohen edhe në ofrimin e mundësisë për të rritur vizibilitetin në nivelin rajonal dhe global. Partneritetet e tilla kanë kontribuar padyshim në përparimin akademik dhe shkencor të UP-së. Krahas prorektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Zyra për Marrëdhënie me Jashtë (ZMJ) është zyra që merret me bashkëpunimin ndërkombëtar në nivelin qendror të universitetit. Ajo bashkërendon dhe ndihmon në zhvillimin dhe mbarëvajtjen e bashkëpunimit ndërkombëtar për secilën njësi akademike. ZMJ, si koordinatore e këtij bashkëpunimi, vazhdimisht ka organizuar veprimtari me karakter ndërkombëtar, duke informuar rreth programeve të studimit jashtë vendit, për partneritetet me universitetet tjera, si dhe mundësitë për mobilitet të studentëve dhe të stafit akademik.

 

Aktivitetet e planifikuara

Tri janë aktivitetet kryesore që janë planifikuar për vitin 2020, ndërsa dy raportohet të kenë ndodhur gjatë periudhës raportuese dhe që mund të përmblidhen në:

  1. Mobiliteti i personelit akademik dhe studentëve;
  2. Aktivitete tjera bashkëpunuese – nënshkrimi i marrëveshjeve të bashkëpunimit me IAL ndërkombëtare dhe organizata ndërkombëtare;
  3. Universiteti Veror Ndërkombëtar i Prishtinës(UVP) – edicioni i vitit 2020, edhe pse është planifikuar të mbahet, si rrjedhojë e situatës me pandeminë, fillimisht është shtyrë dhe më pas, me vendim të menaxhmentit të UP-së, është anuluar.

Përveç marrëveshjeve bilaterale, UP-ja ka nënshkruar marrëveshje me rreth 100 universitete nga Evropa dhe Turqia, në kuadër të Erasmus+ ICM, të financuara nga Komisioni Evropian. UP-ja gjithashtu është koordinator dhe partner në disa projekte në kuadër të Erasmus+Capacity Building. Nga implementimi i suksesshëm i këtyre projekteve kanë përfituar studentët dhe stafi i UP-së, të cilëve u është mundësuar realizimi i mobiliteteve të plota ose të pjesshme, përfitimi i eksperiencave të reja, krijimi dhe zgjerimi i kontakteve me universitete nga rajoni dhe bota.