Takim me z. Eric Dietz nga Ambasada e Luksemburgut

07 Prill 2025
SHARE

Sot, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë priti Kreun e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut në Prishtinë, z. Eric Dietz, për të biseduar mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet këtij misioni dhe Fakultetit të Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës.

Z. Dietz shprehu gatishmërinë për të ofruar mbështetje në krijimin e një Qendre për Simulim brenda Fakultetit të Mjekësisë dhe një Qendre për Hulumtime. Ai theksoi se interesi i zyrës së tij është që të kontribuojë në krijimin e profesionistëve të mirë të cilët do të shërbejnë në tregun e Kosovës.

Ndërkohë, Fakulteti i Mjekësisë, Universiteti i Prishtinës, duke qenë një fakultet me një përvojë 55-vjeçare, shprehu dëshirën për të ofruar përvojat tona në të tri nivelet e formimit të profesionistëve shëndetësorë për Fakultetin e Mjekësisë të Luksemburgut. U theksua gjithashtu gatishmëria për të zhvilluar projekte hulumtuese të përbashkëta, për shkëmbimin e përvojave, si dhe për praktikave dhe njohurive profesionale për studentët dhe profesionistët shëndetësorë.

Pas një takimi të ngrohtë e konstruktiv, mbeti që në të ardhmen të bisedohet për hapa konkretë të jetësimit të kësaj ideje, duke hapur rrugë për bashkëpunim të frytshëm dhe të qëndrueshëm.