Sot, në ambientet e Dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë, u mbajt një takim i rëndësishëm me Prof. Donald E. Letendre nga Universiteti i Iowa-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë vizitë, Prof. Letendre u shoqërua nga Prof. Asoc. Pranvera Breznica, drejtoreshë e Institutit të Farmacisë, dhe Prof. Asoc. Adnan Bozaliu, shef i Degës së Farmacisë.
Qëllimi i takimit ishte diskutimi i hapave konkretë dhe procedurave të nevojshme për funksionalizimin e plotë dhe operacional të Institutit të Farmacisë në kuadër të Universitetit të Prishtinës. Në këtë kontekst, Prof. Letendre ndau me të pranishmit rrugëtimin e tij të pasur profesional, përvojën e gjerë në fushën e farmacisë, si dhe ekspertizën shumëvjeçare në menaxhimin institucional dhe nxitjen e iniciativave sipërmarrëse në funksion të përfitimeve për studentët dhe institucionet.
Menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë shprehu mirënjohje dhe vlerësim të veçantë për vizitën e Prof. Letendre, si dhe gatishmërinë për të mbështetur çdo fazë të këtij procesi të rëndësishëm, duke vepruar në përputhje me kompetencat institucionale dhe legjislacionin në fuqi. Po ashtu, u theksua dëshira për të përfituar nga përvoja dhe sukseset e çmuara të Prof. Letendre, një figurë e njohur ndërkombëtarisht në fushën e farmacisë.
Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe forcimit të kapaciteteve akademike e profesionale të Institutit të Farmacisë, në përputhje me standardet moderne të arsimit dhe praktikës farmaceutike.