Më 21 maj 2025, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë – Universiteti i Prishtinës, i kryesuar nga Dekani Prof. Dr. Sefedin Muçaj, së bashku me prodekanët e fakultetit të mjekësisë: Prof. Dr. Naser Ramadani, Prof. Assoc. Dr. Aurora Bakalli, Prof. Assoc. Dr. Miranda Stavileci, si dhe sekretarin e fakultetit, z. Visar Muçaj, realizuan një vizitë zyrtare në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.
Kjo vizitë – e para jashtë Kosovës gjatë mandatit të ri të menaxhmentit tonë – u zhvillua me vetëdijen për të nisur bashkëpunimet ndërkombëtare me një institucion vëllazëror, me të cilin na lidhin tradita të përbashkëta akademike, profesionale dhe historike.
Delegacioni ynë u mirëprit ngrohtësisht nga Rektori, Prof. Dr. Xheladin Draçini, së bashku me dekanët dhe stafin drejtues të këtij institucioni të rëndësishëm të arsimit të lartë në fushën e mjekësisë.
Gjatë takimit u zhvilluan diskutime të thelluara mbi mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat akademike, kërkimore dhe zhvillimin profesional të stafit dhe studentëve tanë. Të dy palët riafirmuan përkushtimin për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e përvojave që synojnë rritjen e cilësisë në arsimin shëndetësor, kërkimin shkencor dhe inovacionin.
Fakulteti i Mjekësisë – Universiteti i Prishtinës shpreh mirënjohje të veçantë për mikpritjen e ngrohtë dhe angazhimin e sinqertë të Rektorit, Prof. Dr. Xheladin Draçini, si dhe të dekanëve dhe stafit të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, për forcimin e partneritetit tonë institucional.