Sot, më datë 18.06.2025, delegacioni i Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, i kryesuar nga Dekani Prof. Dr. Sefedin Muçaj, së bashku me prodekanët dhe sekretarin e Fakultetit, realizoi një vizitë zyrtare në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Delegacioni u prit nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati, Dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Prof. Dr. Nevzat Elezi, si dhe kolegë të tjerë të nderuar.
Kjo vizitë përfaqëson vazhdimin e një itinerari institucional që ka filluar me Universitetin e Tiranës dhe vijon me Universitetin e Tetovës, si dëshmi e një tradite të konsoliduar të bashkëpunimit akademik ndërmjet institucioneve tona. Këto vizita janë pjesë e një nisme më të gjerë për ndërtimin dhe forcimin e urave të bashkëpunimit me universitetet partnere në rajon, e cila do të vazhdojë edhe me vizita të tjera në vendet fqinje.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur, miqësore dhe profesionale, dhe synon forcimin e partneritetit në fusha me interes të përbashkët, si arsimi i lartë, kërkimi shkencor dhe shkëmbimet akademike ndërmjet dy institucioneve.
Fotot ne fb : https://www.facebook.com/share/p/1LXuj1cCpq/