Dita e mantelbardhëve

17 Tetor 2024
SHARE

Me datë 15. 10.2024 në lokalet e Fakultetit të Mjekësisë, u mbajt ceremonia e mantelbardhëve e organizuar nga menaxhmenti i FM-së dhe Këshilli Studentor.

Kjo ditë tashmë tradicionale, e cila shënon kohën e inkuadrimit të studentëve në lëndët klinike në kuadër të FM-së, këtë vit rastisi edhe me 50 vjetorin e diplomimit të gjeneratës së parë të doktorëve të diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, andaj të ftuar nderi në  këtë ceremoni ishin edhe profesorët/doktorët e gjeneratës së parë, të cilët dhanë kontribut shumë të çmuar për shëndetësinë kosovare, si dhe edukimin e shumë brezave.

Në ditën e mantelbardhëve morën pjesë studentët e vitit të tretë të degës së mjekësisë së përgjithshme, stomatologjisë, farmacisë, fizioterapisë, si dhe studentët e vitit të dytë të degës së infermierisë.

Gjatë kësaj ceremonie të gjthë studentët njëzëri dhanë Betimin e Hipokratit duke u zotuar për respektimin e standardeve etike gjatë ofrimit të kujdesit shëndetësor.

Nën organizimin e studentëve, u bë edhe ndarja e disa dhuratave për studentë, ndarje kjo transparente, e cila u zhvillua para të gjithëve.

Menaxhmenti i FM-së, të gjithë studentëve të fakultetit ju dëshiron rrugëtim të suksesshëm me shumë përkushtim deri në përfundimin e studimeve, për të vazhduar më tutje me ushtrimin e profesionit human të mantelbardhëve.