Më datën 18.10.2024, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë mirëpriti në takim pune Prof. Eustaquio Maria Onorato, i cili vizitoi Kosovën për herë të dytë në cilësinë e mbikëqyrësit të punës së stafit vendor në Kabinetin e Katerizimit të Klinikës së Kardiologjisë për mbylljen perkutane të defekteve të lindura në zemër. Prof. Onorato është kardiolog intervent me përvojë të çmuar në intervenimet perkutane për sëmundjet kongjenitale të zemrës.
Gjatë këtij takimi, Prof. Onorato shprehu vlerësime pozitive për stafin shëndetësor të QKUK-së dhe theksoi mundësinë e bashkëpunimit shkencor midis Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Milanos. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Sefedin Muçaj, ritheksoi rëndësinë e bashkëpunimeve të tilla me qendra mjekësore të avancuara, duke nënvizuar ndikimin e rëndësishëm në zhvillimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor në Kosovë.