Sot, më 23 tetor 2024, në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë, menaxhmenti i ri i Fakultetit të Mjekësisë, priti në një vizitë zyrtare anëtarët e Bordit Drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), së bashku me drejtorin e përgjithshëm, z. Elvir Azizi. Takimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe urimin për fillimin e detyrave të reja.
Gjatë këtij takimi, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Sefedin Muçaj i shoqëruar nga prodekanët e porsazgjedhur, falënderoi përzemërsisht përfaqësuesit e ShSKUK-së, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve për të përmirësuar cilësinë e arsimit dhe shërbimeve shëndetësore në nivel vendi. Ai shtoi se ky bashkëpunim do të fokusohet në zhvillimin e synimeve të përbashkëta, ngritjen e cilësisë së kujdesit shëndetësor dhe përmirësimin e kapaciteteve akademike dhe profesionale të studentëve dhe stafit.
Në takim u diskutuan gjithashtu iniciativa dhe objektiva tjera që synojnë avancimin e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin e arsimit mjekësor dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e kërkimeve shkencore. Dekani Muçaj shprehu gatishmërinë për të dëgjuar dhe integruar propozimet nga Bordi Drejtues dhe drejtuesit e ShSKUK-së, duke shpresuar për rezultate konkrete që do të përfitojnë të gjitha palët e përfshira.
Kryesuesi i Bordit Drejtues të ShSKUK-së, Dr. Dren Boshnjaku, theksoi se bashkëpunimi me Fakultetin e Mjekësisë është një detyrim statutor. Ai nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit në fushën e praktikave klinike të studentëve, zhvillimin e programeve të përbashkëta dhe hulumtimeve klinike në bashkëpunim me stafin akademik.
Drejtori i përgjithshëm i ShSKUK-së, z. Elvir Azizi, shprehu përkushtimin e menaxhmentit për përmirësimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit, duke theksuar se puna akademike dhe praktika shëndetësore duhet të zhvillohen bashkërisht për ngritjen e brezave të rinj të profesionistëve.
Palët ranë dakord të thellojnë bashkëpunimin në të ardhmen, me synimin për të përmirësuar procesin akademik dhe shërbimet shëndetësore. Një vëmendje e veçantë do t’i kushtohet realizimit të synimeve të përbashkëta, përmes krijimit të grupeve të përbashkëta punuese, të cilat do të avancojnë këto iniciativa në të mirë të të gjithë palëve të përfshira.