Ishte një kënaqësi e veçantë që përvjetori i 6-të i themelimit të Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, ky eveniment i rëndësishëm, u shënua në ambientet e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Fakulteti ynë ka qenë dhe mbetet shtëpia e këtij kolegji, duke i parë ata si partnerë të rëndësishëm në avancimin profesional të komunitetit mjekësor në Kosovë. Bashkëpunimi ndërmjet Fakultetit të Mjekësisë dhe Kolegjit të Kirurgëve mbart një rëndësi të veçantë, pasi përmes tij forcojmë misionin tonë të përbashkët: përgatitjen dhe formimin e brezave të rinj të mjekëve dhe kirurgëve, si dhe të stafit të rregullt akademik që do të jenë shtyllat kryesore të së ardhmes.
Me këtë rast, dua të falënderoj të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre në suksesin e Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës – që nga themeluesit, e veçanërisht profesorin e nderuar Prof. Rifat Latifin, deri te anëtarët aktual. Falë përkushtimit te të gjithëve, kirurgjia në Kosovë ka shënuar hapa të rëndësishëm drejt përparimit.