Letër ngushëllimi për vdekjen e Prof. Dr. Agron Pustina

08 Shtator 2021
SHARE

Lajmi për vdekjen e Prof. Dr. Agron Pustinës është një lajm i hidhur për të gjithë stafin e Fakultetit të Mjekësisë dhe të Katedrës së Ortopedisë, në veçanti.

Prof. Dr. Agron Pustina ishte profesor i Kirurgjisë së përgjithshme dhe Ortopedisë. 

Prof. Dr. Pustina u lind më 1944 në Tiranë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu ne Shkup.  Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup më 1967. Specializimin në lëmin e Ortopedisë e kreu në Bruksel. Studimet pasdiplomike i përfundoi në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb dhe më 1975, mbrojti temën e magjistraturës me titull: “Kontributi i ligamenteve teres A në nyjet vaskulare të femurit te fëmijët me luksacion kongjenital të kërdhokullës”. Ndërkaq, më 1979 në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb mbrojti tezën e doktoratës me titull:”Dinamika e ndyshimeve vaskulare të pjesës proksimale të femurit te fëmijët me luksacion kongjenital të kërdhokullave” (SK). 
Prof. Dr. Agron Pustina ishte njëri nga themeluesit e katedrës së Ortopedisë. Më 1971 Prof. Agroni u zgjodh  Profesor ordinar i lëndës Kirurgjia e përgjithshme dhe luftarake në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Pas luftës për një kohë të gjatë ishte drejtues i Bordit për edukim të vazhdueshëm professional në Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës. Ai ka marrë pjesë në disa kongrese e simpoziume ndërkombëtare dhe ka publikuar 26 punime shkencore si autor dhe bashkautor. 
Në Kongresin e parë të Mjekësisë, Oda e Mjekëve të Kosovës e dekoroi me titullin “Nderi i Mjekut” për kontributin e veçantë në themelimin dhe zhvillimin e shërbimeve dhe institucioneve shëndetësore në Kosovë.

Te gjithe ne, kolegët dhe studentët e tij, e kujtojmë si një shembull i shkëlqyer, i një profesori me intergritet të lart akademik, ortoped dhe mbi të gjithash me kulturë dhe i afërt.

Ne, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Mjekësisë ju shprehim ngushëllime të sinqerta, familjes së Prof. Dr. Agron Pustinës.
Nuk keni humbur vetëm ju bashkëshortin, babain dhe familjarin tuaj, por edhe i gjithë Fakulteti i Mjekësisë, një profesor të çmuar.

I nderuar Prof. Agron, u prehsh në paqë!

I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Agron Pustinën!
 
Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu
Dekane