Letër ngushëllimi për vdekjen e Prof. Dr. Selvete Hoxha-Krasniqi

12 Janar 2022
SHARE

Me pikëllim të thellë morrëm lajmin e vdekjes së Prof. Dr. Selvete Hoxha-Krasniqi.

Ky është një lajm i hidhur për të gjithë stafin e Fakultetit të Mjekësisë dhe Katedrës së lëndëve të Shëndetit Publik, të Fakultetit të Mjekësisë, në veçanti.

Te gjithe ne, kolegët dhe studentët e saj, e kujtojme si një shembull i shkëlqyer, i një profesoreshe me intergritet të lart akademik, i një profesioniste-ekologe dhe mbi të gjithash i një intelektuale me kulturë.

Prof. Dr. Selvete Hoxha-Krasniqi u lind më 25 shkurt 1953 në Kaçanik.

Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në Prishtinë. Ajo diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë më 1978. Më tutje punoi në Institutin për Higjienë në Entin për Mbrojtje Shëndetësore të Kosovës. Prof. Dr. Selvete Hoxha-Krasni specializoi në lëmin e Higjienës në “Andria Shtampar” të Zagrebit më 1985. Studimet pasdiplomike i kreu në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë dhe më 1988 mbrojtin tezën e magjistraturës me titull: “Korrelacioni në mes të ujit për pije dhe sëmundjeve ngjitëse të zorrëve në Kosovë 1977-1986”. Në vitin 1985 u zgjodh Asistente për lëndën e Higjienës. Tezën e doktoratës me titull: “Ekzaminimet e vetive fizike, kimike dhe bakteriologjike të ujit për pije në rajonet rurale të Kosovës dhe ndikimi i tij në shpeshtësinë e sëmundjeve ngjitëse” e mbrojti në Prishtinë në vitin 1995. Më pas u zgjodh Docente në lëndën e Higjienës në Katedrën e Mjekësisë preventive. Pas një angazhimi të gjatë akademik, profesional dhe shkencor Prof. Selvete Hoxha-Krasniqi arriti thirrjen e profesoreshës së rregullt për lëndën e Higjienës në Fakultetin e Mjekësisë. Prof. Dr. Selvete Hoxha-Krasniqi ka marrë pjesë në trajnime kombëtare dhe ndërkombëtare, ka shërbyer si Këshilltare e lartë në OBSH për normativat dhe cilësinë e ujit të pijshëm për Kosovë etj. Profesoresha Selvete e ngriti Laboratorin e Ujit të Institutit të Shëndetit Publik në nivel të lartë shkencor. Profesoresha Krasniqi ishte të zëvendës-drejtoreshë e IKSHPK gjatë viteve 2001-2006 dhe 2007 e tutje deri në pensonim. Ajo ishte Prorektore për bashkëpunim ndërkombëtar e Universitetit të Prishtinës gjatë peridhës 2006-2007. Prof. Dr. Selvete Hoxha-Krasniqi u dekorua me shumë mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare për punën e saj profesionale. Ajo ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe simpoziume ndërkombëtare dhe ka publikuar një sërë punimesh profesionale, si autore dhe koautore. Është bashkautore e dy teksteve universitare.

Ne, menaxhmenti i Fakultetit të Mjekësisë dhe i gjithë stafi akademik dhe administrativ i Fakultetit të Mjekësisë ju shprehim ngushëllime të sinqerta, familjes së Prof. Dr. Selvete Hoxha-Krasniqi.

Nuk keni humbur vetëm ju bashkëshorten, nënën dhe familjaren tuaj, por edhe i gjithë Fakulteti i Mjekësisë, një profesoreshë të çmuar.

E nderuar Prof. Selvete, u prehsh në paqë!

I përjetshëm qoftë kujtimi për Prof. Dr. Selvete Hoxha-Krasniqi!

 

Me respekt,

Prof. Dr. Suzana Manxhuka-Kërliu

Dekane