Prof. Dr. Blerim Kamberi, lindur në Gjilan (1963), është një nga figurat më të spikatura të stomatologjisë akademike dhe shkencore në Kosovë. Ai përfundoi studimet në Fakultetin e Mjekësisë – Dega e Stomatologjisë në Universitetin e Prishtinës (1988), ku më pas zhvilloi tërë karrierën e tij akademike, profesionale dhe menaxheriale mbi 36 vite.
Pas periudhës klinike, u angazhua si asistent praktikant në lëndën “Sëmundjet e dhëmbit” (1989) dhe ndërtoi një karrierë të qëndrueshme akademike duke fituar titujt magjistër (2000) dhe doktor i shkencave të mjekësisë (2005). Në vijim, u avancua në pozitat Profesor Asistent (2007), Profesor i Asociuar (2012) dhe Profesor i Rregullt (2017) në Universitetin e Prishtinës.
Prof. Kamberi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm kërkimor, me mbi 100 punime shkencore të botuara në revista ndërkombëtare të indeksuara në Web of Science, Scopus, PubMed etj., si dhe është autor, redaktor dhe recensent i disa veprave dhe teksteve universitare në fushën e endodoncionit dhe stomatologjisë klinike.
Në aspektin menaxherial dhe institucional, ai ka udhëhequr për vite me radhë Qendrën Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës (2004–2012), Shef i Katedrës së Sëmundjeve të Dhëmbit me Endodoncion (2010- e tutje), Kryetar i Bordit Qendror Specialistik në MSH (2001-2003), Anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës (2012–2015), Kryetar i Shoqatës së Stomatologëve të Kosovës (2017-2019) si dhe Kryetar i Odës së Stomatologëve të Kosovës (2019 e tutje). Ai ka udhëhequr dhe marrë pjesë në grupe punuese strategjike për reformën në arsimin dhe shëndetësinë publike.
Për kontributet e tij shumëdimensionale, është nderuar me shumë mirënjohje institucionale nga Universiteti i Prishtinës, Ministria e Shëndetësisë, Shoqata e Stomatologëve të Kosovës. Në vitin 2022 u nderua me çmimin “Nderi i Stomatologjisë Shqiptare nga Urdhri i Stomatologut të Shqipërisë.