Fahredin Veselaj u lind më 02.05.1969 në Reqan, Suharekë. Studimet universitare i filloi në Fakultetin e
Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës dhe i vazhdoi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Rijekës (Kroaci),
ku diplomoi më 15.07.1994 me notë mesatare 4.69.
Nga viti 1995 deri në vitin 1998 punoi si mjek në Shtëpinë e Shëndetit në Suharekë. Gjatë luftës në Kosovë
shërbeu si mjek i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Batalionin II të Brigadës 123.
Në vitin 1999 filloi specializimin nga urologjia në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), të cilin e
përfundoi më 28.10.2004. Nga viti 2005 deri në vitin 2021 punoi si specialist urolog në Klinikën e Urologjisë në
QKUK. Aktualisht është i angazhuar si specialist urolog në Vitahospital.
Në vitin 2006 fitoi titullin Magjistër i Shkencave Mjekësore në Fakultetin e Mjekësisë – Universiteti i Prishtinës, me
temën: “Karakteristikat klinike dhe patomorfologjike të gurëve koraliformë në Kosovë”.
Në vitin 2015 mbrojti doktoratën me titull: “Hulumtimi i rolit të angiogjenezës dhe faktorëve angiogjenikë në
patogjenezën e karcinomës renale”, duke fituar titullin Doktor i Shkencave Mjekësore.
Që nga viti akademik 2007/2008 është i angazhuar në Fakultetin e Mjekësisë – Universiteti i Prishtinës, në
Katedrën e Kirurgjisë, ndërsa nga viti 2023 është zgjedhur Profesor i Kirurgjisë.
Është autor dhe bashkautor i shumë punimeve shkencore dhe ka marrë pjesë në kongrese dhe simpoziume
kombëtare e ndërkombëtare në fushën e urologjisë.