Fakulteti i Mjekësisë, ofron studime të doktoratës në drejtimin Shëndet publik që nga viti 2013. Programi i studimeve të doktoratës në drejtimin Shëndet Publik fillimisht u akreditua nga Agjencia Kosovare e Akreditimit për periudhën 3-vjeçare (2013-2016), pastaj u riakreditua për periudhën kohore 2016-2020, dhe së fundi për periudhën kohore 2021-2024.
Programi i studimeve të doktoratës është në përputhje me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve dhe Kornizën e Kualifikimeve të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë në fushën e shëndetit publik.
Ky programi është i strukturuar bazuar në qasjen ndërdisiplinore dhe shkencore nën paradigmën "shëndeti i ri publik" si trend i zhvillimit global në përgatitjen e ekipeve kërkimore që punojnë në fushën e shëndetit publik. Promovimi i zhvillimit shkencor dhe vetë ndërtimi i një shoqërie të dijes janë në fokus të këtij programi.
Studimet e doktoratës zgjasin tre vjet (gjashtë semestra) me 180 ECTS sipas kurrikulës së studimeve.
Kurrikulumi i Shëndetësisë Publike ofron mundësinë që kandidatët e programit të Doktoratës të zgjedhin një fushë të hulumtimit me qasje multidisiplinare dhe aplikim të zgjidhjeve të reja të kujdesit shëndetësor të bazuar në evidencë përmes monitorimit të gjendjes shëndetësore, hulumtimit të problemeve dhe rreziqeve shëndetësore, edukimit dhe fuqizimit të komunitetit dhe zgjidhjen e problemeve shëndetësore.
Ky program synon bashkëpunimin akademik me partnerë ndërkombëtarë dhe institucione shëndetësore dhe institucionet tjera publike dhe private.