Përshkrimi i Programit Fizioterapi dhe Rehabilitim BSc
Misioni i programit Bachelor i Shkencës në Fizioterapi dhe Rehabilitim është të diplomojë fizioterapeutë të përgatitur për praktikim të profesionit të fizioterapisë në mënyrë të pavarur, ndërprofesionale, të bazuar në evidencë shkencore me qëllim të maksimizimit të funksionit, shëndetit, mirëqenies dhe cilësisë së jetës së pacientëve dhe shoqërisë. Gjithashtu qëllimi I programit studimor është të përmbushë standardet evropiane dhe kompetencat evropiane te Fizioterapeutit të definuara nga Klasifikimi i Aftësive, Kompetencave dhe Kualifikimeve Evropiane të Komisionit Evropian (Classification of European Skills, Competences, Qualifications and Occupations, of the European commission – ESCO) me mësimdhënës dhe metodologji të avansuar, me rezultate të arritshme dhe të matshme të njohurive profesionale dhe shkencore të ndëridhura ngusht me kompetencat minimale të rekomanduara nga Fizioterapia Botërore që plotësojnë nevojat e shoqërisë në një sistem shëndetësor gjithnjë e më kompleks duke respektuar kodet profesionale të etikës së Fizioterapisë në Kosovë.
Programi i studimeve themelore BSc në Fizioterapi dhe Rehabilitim është i përpiluar në përputhje me strategjinë e hulumtimit dhe zhvillimit të Fakulteti të Mjekësisë dhe ky program është përgaditur me një rëndesi të veçantë në njohjen ndërkombëtare të ECTS dhe gradën e fituar.
Programi i studimit përputhet me Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve (KKK), Kornizën Evropiane të Kualifikimeve (EQF), EHEA Kornizen e Kualifikimeve dhe me Fizioterapinë Botërore dhe ER- Deklaratë mbi Edukimin e Fizioterapisë të rajonit të Evropës.
Rezultatet e të nxënit i referohen nivelit 6 të kualifikimeve (BSc) sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK) dhe EHEA Kornizes se Kualifikimeve.
Njohuritë që do ti arrijë studenti/ja pas përfundimit të studimeve janë:
- Njohuri të avancuara të fushës së Fizioterapisë, që përfshin të kuptuarit kritik të teorive dhe parimeve të bazuara në evidencë shkencore;
- Të njohë rolin e Fizioterapisë në kuadrin e nevojave shëndetësore të komunitetit dhe
- prioriteteve kombëtare në sektorin e shëndetësisë;
- Të njohë sjelljen profesionale dhe etike në fizioterapi;
- Të ketë njohuri mbi shkencat bazë mjekësore, shkencat e lëvizjes njerëzore, gjendjet e ndryshme mjekësore dhe trajtimet e tyre konzervativ dhe kirurgjikale për të identifikuar aspektet psikologjike, sociale, ekonomike, kulturore të sëmundjeve dhe ndikimin e tyre në komunitet;
Shkathtësitë që do t’i arrijë studenti/ja pas përfundimit të studimeve janë:
- Të posedojë aftësi të avancuara, duke demonstruar mjeshtëri dhe risi, të nevojshme për të zgjidhur probleme komplekse të paparashikueshme në fushën e fizioterapisë;
- Të kryejë punë të pavarur në fushën e fizioterapisë;
- Të ketë aftësi për ekzaminim dhe përcaktim të disfunksionit, në të cilin duhet të ndërhyhet;
- Të jetë në gjendje të pëzgjedhin metodat e nevojshme për kryerjen e ekzaminimit subjektiv e objektiv fizioterapeutik me qëllim të identifikimit të gjendjes patologjike;
- Të jetë në gjendje të përpilojnë programin e duhur të trajtimit fizioterapeutik bazuar në të gjeturat nga ekzaminimi;
- Të ketë aftësi praktike për implementimin e programit fizioterapeutik në mënyrë efikase;
Kompetencat që do t’i arrijë studenti/ja pas përfundimit të studimeve janë:
- Menaxhimi i aktivitete apo projekteve;
- Marrja e përgjegjësisë për vendimmarrje në kontekste të paparashikueshme të punës ose studimeve;
- Marrja e përgjegjësisë për menaxhimin dhe zhvillimin profesional të individëve dhe grupeve;
- Të kenë aftësi për analizë kritike, vlerësim dhe sintezë të ideve të reja dhe komplekse;
- Të kenë aftësi të mirëfillta komunikimi me pacientët dhe profesionistët e tjerë shëndetësor dhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit;
- Të kenë aftësi për punë në një ekip të kujdesit shëndetësor.
Me qëllim të prezantimit holistik të asaj që studentët duhet të arrijnë pas përfundimit të suksesshëm të programit, rezultatet e mësipërme të të nxënit të elaboruara sipas nivelit 6 të kualifikimeve (BSc) sipas Kornizës Kombëtare të Kualifikimeve (KKK; NQF) janë përmbledhur në dhjetë rezultate të të nxënit si më poshtë:
Rezultatet e të nxënit të studentit pas përfundimit të programit:
- Të jetë në gjendje të bëjë vlerësimin dhe planifikimin e trajtimit fizioterapeutik dhe përcaktimin e diagnozës fizioterapeutike bazuar në evidencë shkencore;
- Të ushtrojë profesionin e fizioterapeutit me përgjegjësi dhe autonomi të plotë, në përputhje me kodet e sjelljes profesionale, përgjegjësitë ligjore dhe etike.
- Të jetë në gjendje të demonstrojë aftësi analitike dhe praktike për të identifikuar dhe zgjidhur çështjet që prekin shëndetin; të jetë në gjendje të specifikojë dhe zbatojë praktikat e bazuara në evidencë në vendimmarrjen klinike fizioterapeutike.
- Të jetë në gjendje të përdorë në mënyrë efektive pajisjet inovative terapeutike dhe diagnostikuese në fushën e fizioterapisë;
- Të jetë në gjendje të komunikojë me pacientët dhe ekipin e kujdesit shëndetësor.
- Të ketë aftësi për punë në ekip të kujdesit shëndetësor duke treguar aftësi të komunikimit profesional dhe ndërprofesional me komunitetin në nivel të vendit dhe atij ndërkombëtar;
- Të ketë aftësi për analizë kritike, vlerësim dhe sintezë të ideve të reja dhe komplekse;
- Të jetë në gjendje të përvetësojë parimin e të mësuarit gjatë gjithë jetës; të vlerësojë në mënyrë kritike besueshmërinë dhe vlefshmërinë e informacionit dhe të përdor praktika të përditësuara shkencore dhe teknologjike.
- Të jetë në gjendje të kontribuojë në parandalimin dhe promovimin e shëndetit publik nëpërmjet zhvillimit të qasjeve të reja për të përmbushur nevojat e ndryshme të shoqërisë dhe për të zhvilluar politika shëndetësore në fushën e fizioterapisë dhe rehabilitimit.
- Të jetë në gjendje të marrë përgjegjësi dhe të demonstrojë aftësi efikase të punës dhe menaxhimit në mënyrë autonome, si individ dhe si pjesë e një ekipi të kujdesit shëndetësor.
Në diagramin në vijim është paraqitur lidhshmëria dhe kontribuimi i secilit rezultat të të nxënit në arritjen e kompetencave të fizioterapeutit të përcaktuara sipas udhëzuesit për zhvillimin e kurrikulës për fizioterapeutët e nivelit themelor të programit arsimor (GUIDANCE FOR DEVELOPING A CURRICULUM FOR PHYSIOTHERAPIST ENTRY LEVEL EDUCATION PROGRAMME) dhe Statement on Physiotherapy Education of the Europe region
Diagrami nr. 1. Lidhshmëria dhe kontribuimi i secilit rezultat të të nxënit në arritjen e kompetencave të fizioterapeutit.
