Programi Mjekësi e Përgjithshme

 

 

 

 

Fakulteti i Mjekësisë u themelua më 17 Qershor 1969 pas aprovimi nga Kuvendi i KSA të Kosovës  (gazeta zyrtare nr.20/69). Si ditë zyrtare e fillimit të punës së FM shënohet data 4 Dhjetor 1969, ditën kur u mbajt ligjerata e parë në lokalet e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Fakulteti i Mjekësisë nisi punën fillimisht vetëm në drejtimin Mjekësi e Përgjithshme. Stafi mësimdhënës në fillet e veta ishte i përbërë nga mësimdhënësit nga Fakulteti i Mjekësisë së Tiranës, Beogradit, Zagrebit, Shkupit si dhe kuadrot vendore. Pas gjysëm dekade nga themelimi i Fakultetit të Mjekësisë, kuadrot vendore, kryesisht të diplomuar në vendet e ish Jugosllavisë si Zagreb, Beograd, Shkup, përbënin pothujase tërë stafin mësimdhënës.   

Me vendim të datës 7 Nëntor 1973, Fakulteti i Mjekësisë u bashkua me Qendrën Spitalore të Prishtinës duke u shndërruar në Qendër Klinike Universitare dhe u regjistrua në Gjykatën ekonomike të Qarkut në Prishtinë, duke filluar së vepruari si njësi akademike.

Aktualisht, Fakulteti i Mjekësisë (drejtimi Mjekësi e Përgjithshme), në kuadër të Universitetit të Prishtinës përbën fakultetin më prestigjioz dhe më atraktiv për studentët në vend. Çdo vit qindra nxënës më të mirë të shkollave të mesme të Kosovës konkurojnë për t’u bërë pjesë e Fakultetit të Mjekësisë, Programit Mjekësi e Përgjithshme, me një konkurencë 8-10 studentë për një pozitë.

Nga Fakulteti i Mjekësisë, Drejtimi Mjekësi e Përgjithshme përgjatë viteve dolën mjekë dhe profesorë që dhanë dhe japin kontribut shumë të vlefshëm në shëndetësinë kosovare, mirëpo edhe mjekë që kanë bërë emër në qendrat shëndetësore eminente të botës.

Objektivat kryesore të Drejtimit Mjekësi e Përgjithshme të Fakultetit të Mjekësisë janë:

  • Përmirësimi i vazhdueshëm i cilësisë së mësimdhënies dhe mësimnxënies me aplikimin e metodave interaktive me studentin në qendër;
  • Arritja e shkathtësive dhe performancës klinike e laboratorike për një punë të pavarur;
  • Zhvillimi i kapaciteteve hulumtuese  dhe punës kërkimore;
  • Përgaditja e studentëve për shkëmbime ndërkombëtare me institucionet e arsimit të lartë në  Evropë dhe më gjerë;
  • Sigurimi i infrastrukturës bashkëkohore për arsimim sa më cilësor.