Kuvendi i Kosovës më 17.06.1969 (gazeta zyrtare nr. 20/69) nxori ligjin për themelimin e Fakultetit të Mjekësisë.
Me vendimin nr 1015 të datës 24.04.1975, Fakulteti i Mjekësisë në Prishtinë themeloi Seksionin (Degën) e Stomatologjisë, datë kjo nga e cila filloi një erë e re e zhvillimit të stomatologjisë kosovare. Dega e Stomatologjisë e barti peshën e arsimimit të gjeneratave të tëra të stomatologëve, duke e përmirësuar dhe ngritur në mënyrë të jashtëzakonshme nivelin e shërbimeve shëndetësorë stomatologjike e njëkohësisht mbrojtjen e shëndetit oral të popullatës.
Dega e Stomatologjisë realizon veprimtari komplekse arsimore, shkencore dhe shëndetësore. Zhvillimin e saj e karakterizojnë tri periudha të zhvillimit.
Periudhën e parë e karakterizon themelimi i Seksionit (Degës) të Stomatologjisë. Orët e para të mësimit praktik paraklinik u mbajtën në laboratorin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë të Prishtinës, ndërsa ushtrimet e para klinike në Poliklinikën Stomatologjike të Shtëpisë së Shëndetit në Prishtinë.
Periudha e dytë karakterizohet me veprimtarinë e Degës së Stomatologjisë pas aplikimit të masave të dhunshme dhe dëbimit të kuadrit arsimor nga objektet institucionale.
Perudhën e tretë të zhvillimit e karakterizon kthimi në objektet tona në muajin Qershor të vitit 1999.
Në zhvillimin e mëtejmë të Degës së Stomatologjisë rëndësi kruciale ka themelimi i Qendrës Klinike Stomatologjike Universitare të Kosovës, si institucion autonom e i pavarur nga QKU, i themeluar me Udhëzimin Administrativ 12/2003 dt. 04.11.2003 të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës
Dega e Stomatologjisë e Fakultetit të Mjekësisë, së bashku me QKSUK është qendër e vetme terciare dhe referente stomatologjike në Kosovë, ka arritë një nivel të lakmueshëm të zhvillimit ku organizohet mësimi i studimeve të integruara deridiplomike të stomatologjisë, studimet pasdiplomike të doktoratës (PhD), dhe shkollimi pasdiplomik specialistik nga të gjitha lëmitë stomatologjike. Njëkohësisht është ngritur në nivel të lartë ofrimi i shërbimeve shëndetësore stomatologjike në funksion të mbrojtjes së shëndetit oral të popullatës.
Dega e Stomatologjisë e Fakultetit të Mjekësisë ka bashkëpunim të frytshëm me shume fakultete simotra ndërkombëtare.
Dega e Stomatologjisë, për realizimin e planprogramit të studimeve të integruara të stomatologjisë e ka të angazhuar nje staf prej 41 profesionistëve akademik sipas strukturës së gradave shkencore përbëhet nga 27 Doktor shkence dhe 14 PhD kandidat. I gjithë stafi akademik i Degës së Stomatologjisë janë specialist të fushave respektive të stomatologjisë.
Studentët e stomatologjisë, gjatë gjithe ekzistencës së Degës së |Stomatologjisë kanë luajtur rol shumë të rëndësishëm ne të gjitha etapat e zhvillimit, shumë shpesh duke qenë iniciatorë të shumë proceseve pozitive. Perveç sukseseve të tyre profesionale në vend dhe regjion, ne sot mund të mburremi me studentët tanë qe e praktikojnë me shumë sukses profesionin në vende të ndryshme të botës.
Objektivat kryesore të Degës së Stomatologjië, të programit studimeve të integruara të Stomatologjisë janë:
- njohin shkencat themelore biologjike, mjekësore, teknike dhe klinike stomatologjike në mënyrë që të njohin ndryshimin në mes rrethanave normale dhe patologjike, që ndërlidhen me praktikën klinike stomatologjike;
- të kenë aftësi të kuptuarit dhe zgjidhjes së problemeve, vendimmarrjes, hartimit dhe zbatimit të programit, vlerësimit;
- demonstrojnë aftësi dhe qëndrim profesional;
- shfaqin përgjegjësi profesionale
- demonstrojnë aftësinë për të gjetur, analizuar, vlerësuar dhe sintetizuar informacione nga burime të shumta;
- të jenë të aftë të përdorin teknologjinë bashkëkohore;